Futboll

Broja me paterica, turneu amerikan nis keq për sulmuesin

Gazeta Si – Turneu amerikan me Çelsin nuk ka nisur aspak mirë për sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja. Ai është fotografuar duke lënë stërvitjen me paterica dhe me një protezë mbrojtëse në këmbën e majtë.

Duket qartë dëshpërimi i sulmuesit kuqezi, ndërkohë që duhet pritur për të mësuar me saktësi shkallën e dëmtimit. Broja fluturoi drejt Amerikës ditët e fundit, pasi u pajis me dokumentacionin përkatës.

Ky është një lajm i keq edhe për trajnerin Tomas Tuhel. Çelsi nuk ka afruar ende një sulmues qendre, pas largimit të Romelu Lukakut. Nëse nuk e bën këtë gjë, gjasat janë më të mëdha që Broja të qëndrojë me blutë e Londrës, por ky dëmtim prish punë.

Sulmuesi 20-vjeçar është kërkuar gjithashtu nga disa klube me emër në merkato, ndaj dhe ky dëmtim vjen në momentin më të papërshtatshëm. Nëse Çelsi nuk firmos me një tjetër sulmues në merkaton e verës, Broja pritet të qëndrojë.

Broja me fanellen e Çelsit. Gazeta Si, 15 korrik 2022

Sezonin e fundit futbollisti shqiptar u huazua te Sauthemptoni, ku bëri paraqitje shumë të mira dhe shënoi 8 gola. Ai mund të jetë një alternativë e mirë në stol për trajnerin gjerman, Tuhel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë