Kosova

Osmani pas takimit me kryesuesin e OSBE-së: Presim përkrahje në rrugëtimin euroatlantik

Pas takimit me ministrin e Jashtëm polak dhe kryesuesin e OSBE-së, Zbigniew Rau, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar të kontribuojë në mënyrë aktive për një Europë të bashkuar.

Ajo më tej tha se në këtë takim është diskutuar për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Osmani shtoi se Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Presim përkrahje në rrugëtimin tonë euroatlantik nga shtetet që ndajnë vlera të njëjta”, shkroi ajo në Facebook.

Pas takimit me presidenten Osmani, kryesuesi i OSBE-së është pritur në takim nga homologia e tij, Donika Gërvalla.

Rau, temë të diskutimit me liderët shtetëror të Kosovës do ta ketë angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së.

Kujtojmë se gjatë ditës së premte(15 korrik) ai do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë