Gazeta Si – E ardhmja e sulmuesit të Kombëtares, Armando Broja, është një rebus i vërtetë. Ai është bashkuar tashmë Çelsit në turin amerikan, edhe pse fillimisht mbeti jashtë listës së trajnerit Tuhel.
Nga sa është bërë me dije, Broja shkoi me vonesë në ekip për shkak të dokumentacionit dhe jo të lënies jashtë nga klubi. Por sërish mbetet e paqartë e ardhmja, ku do të luajë 20-vjeçari sezonin e ardhshëm.

Kërkesat për sulmuesin kuqezi janë të mëdha, ndërsa Çelsi nuk ka vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjë me të, do të mbajë në ekip, do ta shesë apo do ta huazojë përsëri.
Uest Hemi, Evertoni dhe Njukasëlli janë klubet e Premier Ligës që po ndjekin me kujdes zhvillimet, pasi duan të firmosin me Brojën. Ata janë bindur nga paraqitja e tij gjatë sezonit të fundit, ku sulmuesi shqiptar luajti si i huazuar te Sauthemptoni.
Në Itali ndërkohë shkruajnë se Broja ishte përfshirë edhe në tratativat mes Çelsit dhe Napolit për transferimin e mbrojtësit Kulibali në Londër. Për momentin, nuk mund të thuhet asgjë me siguri, e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares është vërtet një rebus.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




