Gazeta Si – Pas zhgënjimit që solli eliminimi i Tiranës që në turin e parë të Ligës së Kampionëve, sot është radha e dy ekipeve të tjera shqiptare të luajnë në Europë. Partizani dhe Laçi do mundohen të përmirësojnë sadopak imazhin europian të skuadrave shqiptare.
Të dyja këto skuadra luajnë sot ndeshjet e kthimit në Ligën e Konferencës. Partizani luan në orën 20:00, kurse Laçi në orën 21:00.

Partizani është më i favorizuar për të kaluar më tej. Të kuqtë vijnë në ndeshjen e sotme me Saburtalo pas fitores 0-1 nën Gjeorgji, falë golit të Tedi Carës. Mjafton edhe barazimi në “Air Albania”, që Partizani të vazhdojë rrugën europiane.
Trajneri Dritan Mehmeti nuk ka mungesa për këtë sfidë. Ai do t’ia besojë sulmin sërish treshes Cara-Hoti-Skuka. Trajneri i të kuqve dhe kapiteni Belica janë treguar shumë të kujdesshëm në konferencën për shtyp, duke shmangur çdo shenjë nënvlerësimi.
Pak më i vështirë është kualifikimi për Laçin, që luan në Mal të Zi me Iskrën. Ndeshja e parë përfundoi në barazim 0-0, por kuarbinasit patën shumë rezerva për gjykimin, konkretisht për dy raste penalltish. Gjithsesi, Laçi, ashtu si Partizani, ka shanse kualifikimi.
Po sot në Ligën e Konferencës luajnë edhe skuadra të tjera shqiptare, Llapi dhe Gjilani nga Kosova, Shkëndija e Tetovës nga Maqedonia e Veriut dhe Deçiç nga Mali i Zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




