Fatjon Rupi – Përderisa kampionët e Shqipërisë eliminohen nga kampionët e Luksemburgut, sado investime të bëjnë këta të fundit, ka vend për diskutime. Sigurisht, për rënien e futbollit shqiptar. Për nivelin e dobët të Superiores të paktën në këto dy vitet e fundit. Championsi është një barometer, që flet qartë.
Teuta kampione vitin e kaluar dhe Tirana kampione në fuqi u eliminuan që në turin e parë eliminator të Championsit. Nëse durrsakët justifikohen me kundërshtarin e vështirë, Sherif Tiraspol, Tirana nuk lë shumë vend për interpretim.

Ishte një dështim total, në rezultat dhe lojë. Kur Redi Jupi paralajmëronte një paraqitje të dobët të Tiranës në Europë kohë më parë, diçka kishte vënë re. ‘Kambanave’ të alarmit që ai u ra, u injoruan me arrogancë nga kampi i Tiranës.
Dhe fusha i dha të drejtë Jupit. Tirana u shfaq si një skuadër e brishtë në Ligën e Kampionëve edhe ndaj një ekipi, që drejtuesit e saj e konsideronin të kaluar. Llogaritë i kishin bërë shumë gabim.
Tirana u ndesh me një ekip europian, një klub modest nga një vend i vogël, pa shumë histori në kompeticionet europiane. Dhe ky ekip e bëri Tiranën të dukej e vogël edhe në “Air Albania”. Aty ku kampionët e Shqipërisë kanë dominuar ndaj kundërshtarëve të Superiores.
Dhe kur që në raundin e parë europian u turpërua skuadra jonë më e mirë e momentit, skuadra kampione, kuptohet lehtë se çfarë niveli ka kampionati ynë. Hapat prapa të tij këto vitet e fundit janë evidente. Cilësia ka rënë, rivaliteti po ashtu, ndaj dhe në Europë po dalim zbuluar. Championsi nuk gabon si barometër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




