Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari është shprehur e shqetësuar për rritjen e çmimit të bukës, që ka arritur deri në 60 cent në disa vende. Hajdari foli edhe për rritjen e çmimit të naftës, ku tha se janë marrë të dhënat për importuesit dhe çmimet e tyre.
Hajdari ka paralajmëruar të mërkurën(13 korrik) se janë duke punuar për të një masë ligjore rreth produkteve bazike. Caktimi i marzhës së fitimit ose çmimet tavan janë njëra nga dy opsionet që MINT-i po i shqyrton.
Sipas Hajdarit, një grup i dytë punues në kuadër të Ministrisë po analizon të gjithë situatën në treg dhe shumë shpejt do të marrin vendimin nëse bizneseve do t’u caktohet marzha tregtare e fitimit apo çmime tavan për produktet bazike.
“Pas koncept-dokumentit të MINT-it me çmimet tavan të derivateve, kemi formuar edhe grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike. Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Por se cilën masë do ta marrim, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, ka thënë Hajdari.
Për rritjen e çmimit të bukës në disa furra në disa qytete të Kosovës, ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se çmimi furnizues i importit i grurit dhe miellit ka pasur rënie që nga muaji maj.
“Ndonëse kemi rritje të çmimeve në disa furra, çmimet furnizuese të grurit dhe miellit janë kryesisht në rënie. 7% zbritje nga muaji maj prej të dhënave nga Dogana. Kjo evidencë është konfirmuar edhe nga grupi punues, që tregon se në disa furra ka dallime të larta në çmime.
Me këtë situatë, ne në vazhdim të analizës nga rrjeti i operatorëve të shitësve me pakicë, shohim që kemi një dallim tepër të lartë. Marzha tregtare e fitimit ka qenë nga 4 deri 19 për qind”, ka thënë ajo.
Kryesuesi i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, ka hedhur poshtë pretendimet se Kosova mund të preket me mungesë të grurit e miellit si shkak i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Ai tha se Kosova gjithmonë ka përmbushur nevojat e veta 50 deri në 60 për qind edhe se importet nga Rusia dhe Ukraina nuk kanë qenë kurrë cak.
“Kosova gjithmonë ka plotësuar nevojat e veta të brendshme 50 deri në 60 për qind kurse pjesa tjetër është plotësuar nga importi regjional duke mos e pasur kurrë tregun e Ukrainës apo Rusisë së cak të vetin për importe. Në regjionin tonë duke marrë parasysh Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bullgarinë dhe nga Kroacia janë siguruar gjithmonë mangësitë që kanë qenë të nevojshme për tregun e brendshme”, u shpreh ai.
Zejnullahu, në një konferencë të përbashkët me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se s’ka nevojë për shqetësime pasi Kosova ka mjaftueshëm grurë dhe miell.
Ditë më parë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, propozoi hartimin e një projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazike. Megjithatë, propozimi ngeli aty.
Edhe pse deri sot s’pati hapa konkretë, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ishte shprehur se caktimi i marzhës tregtare është shkelje kushtetuese dhe ndërhyrje në ekonominë e tregut.
“Çdo ndërhyrje që është e pabazuar dhe bazohet vetëm në një situatë, vetëm në një moment kohor, apo që realisht ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën e barabartë në treg, është edhe nga aspekti parimor, nëse e sheh qartë, shkelje kushtetuese”, pati deklaruar Rukiqi.
Inflacioni në Kosovë për qershorin ishte 14.1%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




