Trashëgimi

Gërmime arkeologjike në zonën e Belshit pas më shumë se 30 vitesh

Nga Gazeta Si - Pas 30 vitesh po zhvillohen ekspedita arkeologjike në zonën e Belshit. Ekspedita po zhvillohet në bashkëpunim mes specialistëve të Institutit të Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore me Fakultetin e Histori-Filologjisë.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se objekti i zbuluar mund të jetë pjesë e një kompleksi rural.

“Është gjithmonë një ndjesi e veçantë kur nëntoka na zbulon copëza historie. Pas më shumë se 30 vitesh, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe me mbështetjen e Bashkisë Belsh, po zhvillojnë një ekspeditë gërmimesh arkeologjike për zbulimin e strukturave të një terme të periudhës romake. Sipas hulumtimeve paraprake, objekti i zbuluar mendohet të jetë pjesë e një kompleksi rural i tipit ‘Villa Rustica’, e datuar mes shek. III-IV pas Krishtit”, shprehet ministrja e Kulturës për gërmimet në Belsh, ku ka ndarë dhe imazhe gjatë punës së kësaj ekspedite arkeologjike në vendin tonë.

Ministrja e Kulturës gjithashtu bën me dije se specialistët e IKTK po punojnë edhe për restaurimin e monumentit.

“Ky monument përbën një aset kulturor të çmuar për zonën e Belshit dhe për trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Njëkohësisht me gërmimin arkeologjik, restauratorët e institutit po punojnë për projektin e konservimit dhe restaurimit të monumentit, me qëllim kthimin e tij të vizitueshëm”, vijon më tej Margariti.

Ky zbulim i veçantë do të jetë një vlerë e shtuar për zonën e Belshit, duke na dhënë njohuri më të thelluara të shtresave të historisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë