Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën me BE-në ka ngjallur debate midis eurodeputeteve Dominique Bilde dhe Viola von Cramon, e cila është njëkohësisht Raportuese e Parlamentit Europian për Kosovën.
Viola von Cramon, ka reaguar pas thirrjes së Bilde që shtetasve kosovarë mos t’iu liberalizohen vizat me vendet e Bashkimit Europian.
Eudodeputetja Dominique Bilde pohoi në rrjetet sociale se “refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë lëshimin e vizave për shumë shtetas të tyre!”.
Bilde është pjesë e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, National Rally me në krye Le Pen-in e cila humbi zgjedhjet presidenciale përkundrejt Macron-it.
Von Cramon, nga ana tjetër, ka pohuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe “qytetarët e saj meritojnë, si të gjithë evropianët e tjerë, të lëvizin lirshëm”.
Edhe presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë samitit të fundit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Franca është vendi i vetëm që ka hezituar deri më tani t’i thotë po lëvizjes së lirë për shtetasit e Kosovës, por së fundmi ka lëvizur drejt zhbllokimit të qëndrimit të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




