Futboll

Shtypi italian ngre në piedestal Asllanin: Është 3 në 1!

Gazeta Si – Zyrtarizimi dhe prezantimi i Kristjan Asllanit tek Interi vazhdon të komentohet në Itali. Skenën e rrëmbeu ditët e fundit Romelu Lukaku, por edhe mesfushori shqiptar nuk mbetet prapa. Asllanin e vlerësojnë si një nga goditjet më të mira të merkatos së kësaj vere.

Specialistët e futbollit dhe shtypi sportiv italian kanë kohë që flasin me superlativa për 20-vjeçarin elbasanas. Tani edhe më shumë, duke gjykuar se Interi ka bërë një blerje të jashtëzakonshme.

Asllani firmos ne pranine e presidentit Zhang. Gazeta Si, 1 korrik 2022

‘Gazzetta dello Sport”, gazeta prestigjioze sportive italiane ka shkruar një tjetër artikull për Kristjan Asllanin. Këtë herë përqendrohet tek aftësitë teknike të lojtarit të Kombëtares shqiptare.

Mesfushori, sipas artikullit në fjalë, ka aftësitë e tre lojtarëve të ndryshëm bashkë, ndaj dhe konsiderohet një blerje “tre në një”. Interi e ka blerë për atë që do të zëvendësojë kroatin Marselo Brozoviç, një nga më të rëndësishmit në skuadër. Por Asllani mund të bëjë edhe më shumë, kuptohet me kalimin e viteve.

Lojtari përshkruhet si një profil adapt për të drejtuar orkestrën zikaltër në të ardhmen. Asllani është një lojtar që mbron mirë, që ndërton aksionet dhe depërton në thellësi. Është një lojtar që nuk ndalon kurrë së vrapuari, ashtu si Brozoviç.

Interi shpenzoi 14 milionë euro për Aslllanin, por mund të ketë bërë goditjen e verës, një blerje më të rëndësishme se e Lukakut. E ardhmja është në këmbët e mesfushorit shqiptar, karakteristikat e tij janë të rralla dhe të padiskutueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë