Gazeta Si – Të dryshëm nga karakteri, por kampaktë në mënyrën më perfekte. Maldini dhe Masara plotësojnë njëri-tjetrin dhe së bashku kanë ndërtuar një Milan titulli.
Paolo dhe Riki nuk kanë luajtur kurrë bashkë. Ata janë në një ‘skuadër’ prej tri vitesh. Kanë lënë mënjanë edhe lavdinë e një pasditeje të 30 viteve më parë: Peskara-Milan, nga një gol secili. Ndoshta fati ishte i shkruar.

Që kur u kthye në klubin e Milanit, Maldini ka punuar me Leonardon, Bobanin dhe Gatuzon, me të cilët në fushë ka fituar gjithçka, por kiminë perfekte e ka gjetur me ish-bomberin e provincës.
Bashkë kanë ndërtuar një Milan për titull. Janë përqafuar në tribunë dhe pastaj edhe në fushë, në Rexho Emilia. Të dy kanë pritur në qershorin më të gjatë të historisë së ‘Djallit’, ku rinovimi erdhi para se të binte gongu.
Çifti ideal ka lindur në heshtje, prapa reflektorëve. Masara mbërriti te Milani me stilin e tij, me ‘majat e këmbëve’. Pak fjalë dhe shumë, shumë punë pas kuintave. Ideal për të gjetur ekuilibrin në treshen fillestare me ish-kapitenin dhe Boban.
Një miks, që u duk i goditur që në fillim. Drejtori sportiv ka lindur në Torino, po ka rrënjë franceze. Ka intuitë prej ‘talent scout’-i dhe aftësi diplomatike të nivelit të parë. Ka bredhur botën dhe flet 5 gjuhë.
Edhe pse për diplomaci dhe histori, pak mund t’ia marrin Paolo Maldinit. Para legjendës së Milanit përulen të gjithë, i mjafton një telefonatë për të ndryshuar trajektoret e merkatos.
Goditjet më të mëdha të këtij çifti në merkato? Varet nga gustot. Disa afrime gjithsesi janë të padiskutueshme, janë zgjedhje vizioni, zgjedhje të njerëzve që kuptojnë nga futbolli.
Teo Hernandez, që Maldini shkoi ta merrte në Ibiza. Ibrahimoviç, i rikthyer në erën ‘Boban’, për t’i dhënë forcë dhomës së zhveshjes. Maignan, për të cilin Masara nuk i ka kursyer elozhet: “I jashtëzakonshëm, do bëjë historinë e Milanit”.

Tonali, i rrëmbyer para Interit. Zhiru, i nënvlerësuar dhe pastaj njeriu i titullit. Sintonia lindi ditë pas dite, mes vështirësisht dhe suksesesh. Dhe u bë miqësi, kanë udhëtuar bashkë me gratë gjatë verës.
Ibiza është kthyer në një vend referimi për çiftin, ‘M&M’ i Milanit tani është një markë fabrike. Mes dhjetëra takimesh në seli me agjentët.
Drejtori teknik është i njohur në gjithë botën, drejtori sportiv preferon të punojë në hije. Janë të ndryshëm nga karakteri, por funksionojnë dhe ndoshta funksionojnë sepse janë të ndryshëm. Për Milanin është shumë mirë kështu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




