Gazeta Si – Gjashtë persona, mes tyre katër shqiptarë dyshohen se janë autorët e grabitjes në vilën e brazilianit Ronaldo Nazario da Lima në Ibiza të Spanjës.
Mediat spanjolle raportojnë se ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, ku në vilën e tij në Ibiza u vodhën bizhuteri dhe ora me vlerë rreth 3 milionë euro si dhe 10 mijë euro cash.
Në fakt, sendet personale ishin në pronësi të mesfushorit italian të PSG-së,, Marco Verratti, i cili po bënte pushimet në vilën e Ronaldos, duke qenë se janë miq bashkë.
Hajdutët u arrestuan jë ditë më parë në portin e Denias, kur zbritën nga trageti me një makinë, me të cilën ishin larguar më parë nga ishulli.
Në automjet u gjet një kuti në të cilat ruhej një pjesë e sendeve të grabitura.
“Katër arrestime janë bërë në Malaga dhe dy të tjerë në Denia dhe nga pesë të arrestuarit, katër janë me kombësi shqiptare dhe një spanjoll, ndërsa një grua ishte me origjinë nga Rumania”, – shkruajnë mediat spanjolle.
Autorët dyshohet se janë pjesë e një bande shqiptarësh dhe spanjollësh që merren me grabitje vilash luksoze.
Rasti në vilën e Ronaldos, i cili njihet ndryshe edhe si “Fenomeni”, ka qenë tepër i guximshëm.
Hajdutët hynë brenda përmes dritareve të hapura në vilën që ndodhej në Cala Jondal në fshatin Sant Josep de sa Talaia.
Në momentin e grabitjes po zhvillohej një festë e vogël në katin e poshtëm dhe në zonën e kopshtit.
As Marco Verratti me partneren e ftuarit dhe as katër anëtarët e shërbimit të sigurisë së shtëpisë nuk e kuptuan çfarë po ndodhte.
Ndonëse nuk konfirmohet, vlera e bizhuterive dhe parave të vjedhura mund të arrijë në rreth tre milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



