Drejtësia

Dosja e anëtares së KPK-së shkon në gjyq për falsifikim dhe fshehje pasurie

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjyq për anëtaren e KPK-së Etleda Çiftja, ndaj të cilës rëndojnë akuzat për deklarim të rremë pasurie dhe falsifikim dokumentesh.

Çiftja akuzohet se ka kryer deklarim të rremë për blerjen e apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e  marrjes së një kredie.

Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë  nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë.

Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë.

Në fakt duket një situatë qesharake, pasi Çiftja, e cila verifikon pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Komisionin e Vettingut, dyshohet se ka bërë deklarim të rremë për të ardhurat monetare të saj.

Edhe pse prej javësh është marrë e pandehur nga SPAK dhe sot çështja shkoi në Gjykatë, Etleda Çiftja vijon të jetë pjesë e trupave gjykuese për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Çiftja mori pjesë edhe në gjykimin e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri, për të tre kriteret; Ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Seanca dëgjimore e mbajtur në 13 qershor 2022 për Andri Ymerin, është shtyrë pa afat pikërisht për shkak të kërkesës së avokatit të gjyqtarit, Arben Llangozi, për përjashtimin e Çiftjes nga procesi i Ymerit, si në kundërshtim me ligjin e Vettingut.

Në kërkesën avokatit të datës 13 qershor 2022, thuhet se “Etleva Çiftja nuk ka reaguar, por vijon punën normalisht, duke u bërë kështu rasti unik në botë që një i pandehur gjykon gjyqtarin”.

Po në datë 13 qershor 2022, Llangozi ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit procedimin disiplinor dhe pezullimin nga detyra të anëtares së Vetingut, për ushtrim të detyrës në kundërshtim me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë