Gazeta Si – Kryebashkiaku Erion Veliaj priti sot në një takim ekipin e Tiranës në futboll. Ai i ka akorduar këtij ekipi fondin prej 150 milionë lekësh për titullin e fituar sezonin e fundit.
Në fjalimin e rastit, kreu i bashkisë së kryeqytetit shprehu mirënjohjen për trofeun e fituar dhe saktësoi se shpërblimi ëhstë vetëm për ata që kanë kontribuuar në fushë.

“Jam shumë krenar për secilin prej jush, për punën dhe sakrificën. Nuk besoj se ka vit më të mbarë për të sjellë Kupën e Kampionatit në Tiranë se ky vit, ku Tirana është kryeqyteti europian i rinisë.
Kjo fitore do të jetë pjesë e arritjeve të këtij qyteti që rritet përditë. Ne e mbajmë fjalën dhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak do formalizojmë çekun prej 150 milionë lekësh si shpërblim për lojtarët dhe trajnerët.
Kam vendosur që këtë vit të bëjmë një korrektim të shpërblimit, që shkon ekskluzivisht për ata që kanë kontribuuar në lojë. Besoj që kështu është më e ndershme.
Nuk jam ndjerë mirë, kur pashë se një pjesë e shpërblimit që dhamë vjet devijonte në familjarët e aksionerëve të klubit. Nuk janë paratë e mia personale, por të taksapaguesve të Tiranës”, – theksoi mes të tjerash Veliaj.
Më pas ai u ndal te çështja e klubeve që mund të punojnë në të zezë, apo me llogari të bllokuara dhe borxhe: “Kjo duhet zgjidhur njëherë e mire. Kur i futem betejave në sport, nuk i futem për një emër të përveçëm. Nuk është çështje emrash, por parimesh.
Nëse dikush nuk punon dot në të zezë në fasoneri a në piceri, atëherë as në futboll nuk duhet të punojë. Sigurimet shoqërore duhen paguar”.
Nuk munguan as shigjetimet për FSHF-në: “Është e mjerueshme për Federatën Shqiptare të Futbollit që të mundemi në shtëpinë tonë nga ekipe modeste. Kjo duhet parë, ku shkojnë këto financa”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




