Nga Gazeta Si - Një mozaik i periudhës romake, i ruajtur në gjendje jashtëzakonisht të mirë, dhe që përshkruan një shumëllojshmëri kafshësh, zogjsh, peshqish dhe anijesh, është rikthyer në vendin ku u gjet për herë të parë në periferi të qytetit Lod, Tel Aviv pas një turneu dhjetëvjeçar në disa prej muzeve më të mirë në botë.
Aty është inauguruar një qendër e re arkeologjike që ekspozon mozaikun 1700-vjeçar të ruajtur në gjendje shumë të mirë.
Mozaiku 1700-vjeçar, i periudhës së vonë romake, u zbulua në vitin 1996 gjatë punimeve të ndërtimit të autostradës, por nuk u ekspozua deri në vitin 2009, kur u dhuruan fonde të mjaftueshme për ruajtjen e tij.
Mozaiku shumëngjyrësh, 17 m i gjatë dhe rreth 9 m i gjerë mund të ketë shërbyer si kati i një pallati në një lagje të pasur të Tel Avivit, është shprehur Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit në një deklaratë.
“Pronari ishte ndoshta një tregtar shumë i pasur, që ka udhëtuar në botë dhe ka parë gjëra si të gjitha anijet dhe peshqit që ekspozohen në mozaik”, tha arkeologu Hagit Torge.
Dizajni u ndikua nga mozaikët e Afrikës së Veriut dhe i mungon çdo përshkrim i njerëzve. Besohet se mund t’i përkiste një të krishteri ose një çifuti që donte të shmangte atributet pagane si përshkrimi i perëndive romake, tha arkeologu Amir Gorzalczany.
Mozaiku tani do të ekspozohet në një qendër arkeologjike të ndërtuar aty ku u gjet, në Tel Aviv.
Marrë nga CNN, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.