Futboll

Liverpuli cakton çmimin e Salah, Gabriel Jesus drejt Arsenalit

Gazeta Si – Haland te Siti, Nunez te Liverpuli, Mané te Bajerni. Tri goditje në një muaj dhe pastaj ujëra të trazuara. Barcelona kërkon të bëjë diçka për sulmin, po ashtu edhe Real Madrid, që shpenzoi jo pak për Tçouameni.

Klubet e tjera të mëdha presin të kuptojnë se cili do të jetë butoni që do të lëvizë një domino të rëndësishme. Robert Levandovski duhet të kalojë te Barcelona, por Bajerni, pavarësisht kërkesës së polakut për t’u larguar, nuk zbret poshtë 50 milionë eurove.

Mohamed Salah. Gazeta Si, 26 qershor 2022

Tratativa që mund të ndezë merkaton ka sërish në qendër të saj ekipin e Jurgen Klop. Pas Mané, Liverpuli mund të humbasë edhe Salah, për të cilin tashmë ka vendosur edhe çmimin.

Egjiptianit i skadon kontrata në 2023-shin dhe për momentin ka një ftohtësi mes palëve për rinovimin. Për këtë arsye klubi anglez i ka hapur rrugën shitjes dhe Real Madrid po mendon seriozisht për Salah.

Sipas ‘The Sun’, Perez është gati të hidhet në sulm për egjiptianin, pasi nuk mundi të afronte francezin Mbape. Liverpuli kërkon të paktën 75 milionë euro, një shifër jo e vogël.

Në Premier Ligë një tjetër sulmues është gati të ndërrojë skuadër, duke kaluar nga Mançester Siti tek Arsenali: Gabriel Jesus. Braziliani, i mbyllur te Siti pas ardhjes së Haland dhe Alvarez, duket se ka pranuar ofertën e “Topçinjve”.

Arsenali ofron 45 milionë stërlina për të mbushur boshllëkun e lënë nga Aubamejang dhe Lakazet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë