Gazeta Si – Ledian Memushaj është i lidhur fort me klubin e Peskarës, ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist. Tani ish-lojtari i Kombëtares hedh një hap tjetër, do të jetë trajner i të rinjve të Peskarës.
Kjo është eksperienca e parë e vlonjatit në fushën e trajningut. Klubi italian i ka besuar detyrën e trajnerit të skuadrës ‘Primavera’ Memushajt, pasi ky i fundit është tërhequr nga futbolli i luajtur.

Ish-mesfushori, 35 vjeç, ka mbajtur për 8 sezone fanellën e Peskarës. Ai ka qenë edhe kapiten i saj dhe futbollisti i huaj me më shumë ndeshje.
Është pozitiv fakti që një ish-lojtar i Kombëtares bëhet trajner në Itali, një vend që prodhon trajnerët më të mirë. Në një të ardhme Memushaj do të shërbejë me eksperiencën e tij edhe tek ekipet tona kombëtare.
Ledian Memushaj numëron 16 ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Ai është një nga lojtarët që kontribuuan në suksesin historik të Euro 2016. Ka lindur në Vlorë, por është formuar si futbollist në Itali, ku ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij.
Përveç Peskarës, ish-mesfushori ka veshur edhe fanellën e Leçes dhe Beneventos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




