Drejtësia

Rinas, në 2 ditë riatdhesohen 72 shqiptarë nga Britania e Madhe dhe Franca

Gazeta Si – Britania e Madhe dhe Franca ka riatdhesuar 72 shqiptarë që qëndronin atje në mënyrë të parregullt ose kanë përfunduar dënimin për vepra të ndryshme penale.

Gjatë dy ditëve të fundit  shqiptarët e kategorisë “Deportiv” kanë mbërritur në Rinas me 2 avionë charter.

Në charter-in e parë që mbërriti nga Anglia ndodheshin 24 shtetas shqiptarë. 21 prej tyre kishin përfunduar vuajtjen e dënimit në territorin britanik, për vepra të ndryshme penale të kryera atje dhe 3 shtetas të tjerë për qëndrim të parregullt.

Ndërsa në charter-in e dytë që mbërriti nga Franca ndodheshin 48 shtetas shqiptarë, disa prej tyre janë kapur në tentativë për të shkuar në Angli dhe të tjerët kanë përfunduar vuajtjen e dënimit.

Katër prej shtetasve të kthyer nga territori francez janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Më herët, shtypi britanik raportoi se një grup prej 23 kriminelësh shqiptarë të dënuar për vepra të rënda penale, u ekstraduan në Shqipëri nga Britania e Madhe, si pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve për transferimin e të dënuarve.

Mes tyre janë trafikantë droge, një rrëmbyes dhe një pedofil.

Pjesë e tyre ishin gjithashtu anëtarë të bandave të krimit të organizuar dhe një individ pa të drejtë qëndrimi në Britani.

Ata po vuanin dënime të kombinuara me më shumë se 72 vjet burg, raportojnë mediat britanike.

Duke komentuar mbi dëbimet, Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha: “Këta individë janë përgjegjës për disa nga krimet më të tmerrshme, duke përfshirë përdhunimin, krimin e dhunshëm dhe shkeljet e rënda të drogës. Ata kanë shkelur ligjet dhe vlerat tona dhe kanë lënë viktimat e tyre të jetojnë me plagët e krimeve që kanë kryer.Kjo Qeveri do të përdorë çdo mjet të disponueshëm për të larguar shtetasit e huaj që kanë kryer krime kundër qytetarëve tanë dhe së fundmi ne kemi paraqitur Aktin e Kufijve për të ndihmuar në përfundimin e ciklit të kërkesave dhe apelimeve të minutës së fundit që mund të vonojnë largimet.”

Muajin e kaluar, 190 shkelës, shtetas të huaj u larguan nga Mbretëria e Bashkuar me fluturime çarter dhe të planifikuar.

Midis tyre ishin kriminelë të dënuar për veprat e mëposhtme; dy për vrasje nga pakujdesia, tetë për përdhunim, 75 për krime droge, një për tentativë vrasje dhe 14 për krime të dhunshme duke përfshirë dëmtimin e vërtet trupor dhe lëndimin e rëndë trupor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë