Drejtësia

I arrestuar për vjedhje, ish-drejtori i Ujësjellësit të Kurbinit do të ekstradohet në Spanjë

Gazeta Si – Ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizime në Kurbin, Alfred Prodani i arrestuar në fillim të muajit maj për vjedhje në Spanjë, do të ekstradohet drejt këtij shteti për tu përballur me drejtësinë.

Pas përfundimit të afatit të paraburgimi 40-ditor, Gjykata e Kurbinit ndryshoi masën e sigurisë për 41-vjeçarin, duke e lënë në burg pa afat, ndërsa vijojnë proçedurat për ekstradimin drejt shtetit Spanjoll.

Menjëherë pas arrestimit, autoritetet spanjolle sollën dosjen hetimore dhe provat që e implikojnë Prodanin në disa episode vjedhjesh.

Gjatë kësaj kohe, Prodani ka qëndruar në burgun e Kurbinit me qëllim ekstradimi.

Ai u arrestua në qytetin e Laçit, pasi që prej vitit 2013 ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle si i përfshirë në grabitje me dhunë të banesave.

Një nga vilat që dyshohet se Prodani bashkë me persona të tjerë të kenë grabitur është ajo e yllit të Real Madrid, sulmuesit Karim Benzema.

Urdhër-arresti ndërkombëtar për vjedhjen e dhjetëra vilave në Spanjë, nuk e pengoi 41-vjeçarin të ulej në zyrat shtetërore dhe të mbante prej vitesh detyrën e drejtorit.

Në mars të këtij viti, hyri në fuqi marrëveshja e ekstradimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës dhe Prodani do të jetë nga të parët shqiptarë që do i dorëzohet autoriteteve spanjolle.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë