Futboll

Katër skuadra në garë për Vrionin, Juventusi vlerëson ofertat

Gazeta Si – Xhakomo Vrioni dhe disa lojtarë të tjerë që kanë qenë në huazim shihen si një mundësi për të mbushur arkën nga Juventusi. Ata janë në shitje dhe klubi torinez po pret ofertat më të mira nga skuadra të ndryshme.

Vrioni, golashënuesi më i mirë në Austri sezonin e fundit, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve me emër. Paraqitja e mirë me Tirolin ka bërë që ai të ndiqet nga skuadra turke, spanjolle, belge dhe holandeze.

Vrioni gjate nje ndeshjeje me Kombetaren. Gazeta Si, 21 qershor 2022

I pari që doli hapur për sulmuesin e Kombëtares shqiptare ishte Beshiktashi. Klubi i njohur turk vazhdon të ndjekë situatën, pasi synon ta bëjë të vetin Vrionin.

Të tjera skuadra të interesuara për lojtarin kuqezi janë Getafe në Spanjë, Anderlehti në Belgjikë dhe Groningeni në Holandë. Juventusi do të vlerësojë ofertën më interesante dhe në dakordësi edhe me Vrionin, do të vendosë për projektin më të mirë.

Pas shpërthimit në Austri, Vrioni synon të bëjë një hap të rëndësishëm përpara, duke luajtur në një kampionat më prestigjioz. Te Juventusi është e vështirë të gjejë hapësirë, ndaj dhe fokusi është në skuadra të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë