Kosova

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen për energjinë në Bruksel

Kosova dhe Serbia kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian në Bruksel.

Këtë e bëri të ditur vetë përfaqësuesi i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili është shprehur i kënaqur me këtë arritje ndërsa pritet që palët të dakordohen edhe rreth përgatitjeve për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Me kënaqësi njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter. 

Marrëveshja për energji u arrit në vitin 2013, e pastaj u konfirmua edhe në vitin 2015.

Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe.

Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.

Burimet e BE-së kanë thënë se do të diskutohet edhe për të pagjeturit. Një deklaratë e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje është gati, por ka mbetur që të saktësohen disa terme që përmenden në të, në mënyrë që ajo edhe të nënshkruhet.

Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë