Kosova

Veteranët paralajmërojnë sërish protesta para Kuvendit

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka paralajmëruar sot (20 qershor) sërish protesta, nëse nuk ndryshohet projektligji për pagën minimale, i cili tashmë është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së), Faton Klinaku, ka thënë në një konferencë për media se nëse nuk përfshihet rritja e pensionit të veteranëve në këtë projektligj, atëherë veteranët do të mbajnë protestë para Kuvendit, në ditën kur do të shqyrtohet kjo çështje në lexim të dytë.

Sipas tij, në takimin që është zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin më 17 qershor, nuk është arritur pajtueshmëri.

“Kurti vazhdon të insistojë në qëndrimet e tij diskriminuese, me tendenca politizuese ndaj çështjes së veteranëve dhe nuk plotësoi kërkesën tonë që është minimale, jodiskriminim të veteranëve në ligjin për pagën minimale”.

Ai ka thënë se janë në pritje të propozimeve të reja nga Qeveria dhe Kuvendi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se më vonë gjatë ditës do të procedojnë për votim disa amendamente që do të mundësojnë që pensioni i veteranëve të jetë në nivelin e pagës minimale.

Amendamentet votohen kur të miratohet një projektligj në lexim të dytë.

“Kjo është periudhë kohore mbi të cilën edhe duhet të dialogohet me Qeverinë, edhe ne si deputetë duhet ta bëjmë punën tonë”, ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka rikujtuar që kjo parti veçse ka dërguar dy amendamente për shqyrtim.

Njëra kërkon që deri në kategorizim të veteranëve, pensioni i tyre të jetë i barasvlershëm me pagën minimale, ndërsa i dyti që paga minimale të jetë 370 euro neto.

Projektligji i miratuar parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, nga 130-170 sa është aktualisht. Por, në rast se miratohet, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë