Gazeta Si – PSG ka shënuar një tjetër rekord negativ. Sipas asaj që bën me dije ‘L’Equipe’, klubi parisien e mbylli sezonin 2021/22 me humbje që shkojnë deri në 300 milionë euro.
Një vit më parë ky klub shënonte -224.3 milionë në bilancin e tij. E përditshmja franceze shkruan gjithashtu se për sezonin 2022/23 situata është e destinuar të përkeqësohet.

Humbje edhe më të mëdha do të ketë, sepse në llogari do të përfshihet edhe kontrata e re e Kilian Mbape. Ajo hyn në fuqi prej 1 korrikut.
Një vit pas blerjes së Lionel Mesit dhe me ndalimin në 1/8-at në Champions, klubi i Al-Khelaifit regjistrin një deficit të madh në llogaritë e sezonit. Një situatë që normalisht duhej të peshonte shumë në merkaton e verës, por PSG sërish vazhdon të bëjë çmenduri.
Francezët po kërkojnë Renato Sançes nga Lila, Vitinja nga Porto dhe kanë bërë një super ofertë për mbrojtësin Milan Shkriniar të Interit.
Në këtë humbje të madhe të PSG-së rëndojnë edhe lojtarët e kthyer nga huazimet. Janë lojtarë si Sarabia, Rico, Areola dhe Rafinja. Ka edhe të tjerë që mbetën në skuadër sezonin e fundit, por që nuk patën hapësirë. Në këtë grup bëjnë pjesë Ikardi, Draksler, Herrera dhe Paredes.
Janë të gjithë emra që mund të sjellin të ardhura në arkën e klubit francez, nëse shiten. Kështu do zbutet kjo humbje kolosale. E gjitha kjo situatë ndodh, kur ende nuk ka qartësi për trajnerin e ri. Galtier është kandidati kryesor, por duhet një akord financiar më parë, që ai të lirohet nga Nisa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




