Drejtësia

Drejtësia në kaos, avokatët vijojnë bojkotin në disa qytete. ‘Dorëzohet’ Durrësi

Gazeta Si – Bojkoti 4-ditur i Dhomës Kombëtare tëAvokatisë kundër hartës së re gjyqësore, nuk është ndërprerë këtë të hënë.

Dhomat Vendore në Vlorë, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Lushnjë, do të vijojnë bojkotin deri më datë 24 qershor.

Ndërsa në datën 21 dhe 22 qershor do të bojkotohen edhe masat e sigurisë, gjë e cila nuk ka ndodhur më parë dhe mund të shkaktojë kaos në drejtësi.

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena, tha se avokatët nuk do të marrin pjesë në seancat gjyqësore të proceseve penale, civile, administrative si dhe të gjitha llojet e veprimeve hetimore përgjatë kësaj jave.

Nga 35 avokatë të Dhomës së Avokatisë së Lushnjes dy prej tyre kane mendim ndryshe nga kolegët.

“Nga data 20 dita e sotme deri me datë 24 ne kemi marrë vendim si Dhomë Avokatie për Bojkot, përveç masave të sigurisë. Ky bojkot është si kundërpërgjigje e mosveprimit të ministrisë dhe KLGJ në lidhje me hartën e re gjyqësore,” u shpreh Kozma Jano kryetar i Dhomës së Avokatisë Lushnje.

Nga ana tjetër, pas bojkotit të javës së kaluar, avokatët e Durrësit i janë kthyer gjyqeve. Dhoma e Avokatisë së Durrësit me 244 anëtarë po vijon normalisht përfaqësimin në seancat gjyqësore.

Javën e kaluar u shtynë rreth 212 seanca gjyqësore nga 300 të planifikuara në gjykatën e shkallës së parë.

Dhjetëra seanca të tjera gjyqësore janë shtyrë në Gjykatën e Apelit dhe atë Administrative të Durrësit.

Dhoma e Avokatisë  vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca, sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.

Këtë të hënë, në një njoftim për shtyp, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, th se mbështet hartën e re gjyqësore të propozuar nga KLGJ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë