Gazeta Si – Në ditën e fundit të bojkotit nga Dhoma e Avokatisë kundër hartës së re gjyqësore, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve mbështet nismën e propozuar nga KLGJ.
Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë.
“Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument”, thuhet në deklaratën e shoqatës.
Sipas shoqatës, për ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike, “lipset projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt”.
Për këtë shkak, shoqata mbështet dhe inkurajon miratimin sa më parë të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë.
“Shoqata shprehet e angazhuar që, si gjithmonë, të mos e kursejë ndihmën e saj për çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardit të dhënies së drejtësisë në vendin tonë” – thuhet në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.
Harta e re gjyqësore ka sjellë debate, pasi thuhet se propozimi i ri penalizon qytetarët dhe avokatët.
“Do të mjaftonin 13 Gjykata të Shkallës së Parë, 2 Gjykata Administrative dhe 1 Gjykata Apeli për të gjithë vendin”.
Ky është propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit.
I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar, është se shtimi i një Gjykate të Shkallës së Parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.
KLGJ ka miratuar draftin, i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave.
Me vendimin e ri, shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




