Gazeta si – Pas mbylljes së kampionatit, në merkaton e Superiores ka pasur ‘trafik të dendur’. Fillimisht në dalje. Shumë klube janë liruar nga ‘ngarkesat e tepërta’, duke larguar lojtarët që nuk iu përgjigjën pritshmërive. Partizani duket klubi më aktiv.
Ka pasur lojtarë që kanë ikur nga ekipe të ndryshme pas përfundimit të kontratës apo huazimit, por ka pasur edhe ndërprerje kontrate me konsensus. Kjo ka ndodhur gati me të gjitha skuadrat e elitës.

Partizani deri tani duket skuadra që ka bërë më shumë lëvizje. Të kuqtë kanë afruar sulmuesin Matej Cvetanoski së fundi, por edhe lojtarë të tjerë me peshë si Engjëll Hoti nga Tirana dhe Bruno Telushi nga Egnatia.
Tirana ka humbur kapitenin Erjon Hoxhallari, i cili ka kaluar në Rumani. Hoti ka kaluar te Partizani, por ka edhe lojtarë të tjerë që mbeten në merkato dhe mund të firmosin me ndonjë klub të huaj.
Në anën tjetër, kampionët e Shqipërisë kanë afruar Albano Aleksin, Ardit Hilën dhe Florent Hasanin. Ardit Toli është në dyshim për vazhdimin me bardheblutë, ndërsa disa titullarë kanë rinovuar.

Lëvizje ka pasur edhe te Vllaznia, por shumica e tyre në dalje. Pjesë e shkodranëve nuk janë më Krymi, Da Silva, Mustedanagiç. Ka pasur disa rinovime. Është rikthuer Dejan Shehi, i cili një vit më parë la Vllazninë dhe kaloi te Partizani.
Laçi, skuadra tjetër që merr pjesë në kupat e Europës, ka pasur largime të rëndësishme. Julian Shehu dhe Ardit Deliu janë transferuar jashtë vendit dhe deri tani nuk janë plotësuar vendet që ata kanë lënë bosh.
Te skuadrat e tjera të Superiores, largime dhe afrime të shumta ka pasur tek Egnatia. Kukësi i Gegës po ashtu ka larguar disa lojtarë dhe ka afruar disa të huaj. Të tjerët kanë bërë më pak lëvizje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




