Puna e gazetarëve është një vaksinë kundër injorancës dhe lajmeve të rreme, e nevojshme për mendimin e lirë dhe zhvillimin e “antitrupave” kundrejt censurës. Por është gjithashtu një pilulë që nuk kapërdihet nga të gjithë, veçanërisht nga politikanët dhe të fuqishmit që kanë diçka për të fshehur. Gazetria bën të mundur zbulimin e fakteve të fshehura dhe nxjerrjen në dritë të “episodeve” të varrosura në kujtesë. Ata i kanë bërë të mundur që të nxjerrin më shumë se njeherë nga varri të vertëtën, sidomos në vende si Shqipëria, e cila është kthyer në një vend që duket se ka frikë ta njohë realitetin.
Kushdo që mban pushtetin e sheh shpesh në shtypin e lirë si një rrezik për ruajtjen e konsensusit. Ata luajnë shpesh një lojë të pisët mes lajkave dhe kërcënimeve, por gjithmonë besnik ndaj parimit: “Kush nuk është me ne është kundër nesh”. Ky është një tundim që nuk i shpëtuan as personazhet e famshme si Kennedy. James Reston, një opinionisi i famshëm i Neë York Times iu përgjigj presioneve të John Fitzgerald Kennedit dhe “klanit” të tij duke u thënë se: “Ne ishim këtu kur ju erdhët në pushtet dhe do kur të largoheni do të jemi sërish këtu. “
Diskutimi për mediat ka marrë një rëndësi të madhe kohën e fundit edhe në vendin tonë, pasi kryeminitri Edi Rama propozoi një paketë “anti-shpifje” e cila do të kërkojë legalizimin e faqeve të lajmeve në internet. Ky vendim ka shkaktuar kritika të ashpra nga ana e shoqatës së gazetarëve dhe është parë kryesisht si një kërcënim për mediat online që nuk kontrollohen ende nga qeveria.
Theodoros Alexandridis, një ekspert për të drejtat e njeriut, thotë se propozimi shkon kundër rekomandimeve të raportuesve të OKB-së për mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes. Ai theksoi se komentimi në mënyrë anonime në internet është një e drejtë e pranuar gjerësisht në të gjitha vendet europiane.
“Kërkesa për t’u regjistruar në QKR nuk i shërben asnjë qëllimi të caktuar dhe në mënyrë efektive synon të parandalojë që dikush të komentojë apo raportojë në një artikull në mënyrë anonime”, tha ai. “Gjithashtu Rama nuk ka dhënë asnjë dëshmi bindëse se sistemi ekzistues (paraqitja e një ankese në prokurorit dhe gjurmimi i një IP-je) nuk funksionon,” tha Alexandridis për BIRN. “Raportuesit e OKB-së u bëjnë thirrje të gjitha shteteve të sigurohen që individët të mund të shprehin veten në mënyrë anonime në internet”, tha ai, duke shtuar se një e drejtë e tillë mund të kufizohet vetëm në situata të jashtëzakonshme. Megjithatë kryeministri këmbëngul se të gjitha faqet e internetit duhet të regjistrohen si subjekt tregtar në autoritetet tatimore,ose të përballen me dënime.
Nuk ka dyshim se gazetaria shqiptarë duhet t’u përngjajë më shumë asaj italiane dhe të nxjerrë në sipërfaqe fakte dhe histori që njerëzit në pushtet do të donin të ishin zhdukur , apo gazetarisë amerikane e cila është gjithmonë në mbrojtje të shoqërisë, duke hetuar dhe kontrolluar përmes raporteve zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Gazetarët amerikanë hetojnë në lidhje me trafikimin e paligjshëm, pavarësisht se ai mund të përfshijë biznesmenë apo guvernatorë. Ata publikojnë afera korruptive sepse kanë mbështetjen e lexuesve dhe opinionit publik. Gazetria e pavarua një rol themelor i një shoqëri liberale. Por sot shumë gjëra po ndryshojnë për keq jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve perëndimore.
Disa javë më parë, gazetarja bullgare Viktoria Marinova u përdhunua dhe më pas u vra në një park në periferi të një qyteti. Herën e fundit që Marinova doli në televizionin ku punonte paraqiti një hetim gazetaresk në lidhje me një mashtrim gjigant për shpërdorimin e fondeve evropiane. Të gjithë gazetarët bullgarë që kishin dijeni për skandalin janë kërcënuar me jetë, por ishte e vetmja që pati guximin të fliste për këtë hetim në një program televiziv. Siç zbulohet nga një raport i “Reporterëve pa kufij”, gazetarët bullgarë iu nënshtrohen presioneve të të gjitha llojeve: kërcënimeve, paralajmërimeve mafioze dhe presionit qeveritar. Në indeksin botëror të lirisë së shtypit, Bullgaria vazhdon të bjerë vit pas viti dhe tani ka rezultatin më të keq në Bashkimin Europian. Ajo gjendet në vendin e 111-të nga 180 vende.
Vrasja e Viktoria Marinovës është e treta që ndodh brenda një viti në një vend të Bashkimit Europian. Një vit më parë në Maltë (16 tetor 2017) Daphne Caruana Galicia u hodh në erën në makinën e saj dhe disa muaj më vonë (21 shkurt 2018) gazetari investigativ Jan Kuciak u vra në Sllovaki Daphne kishte informacione për një hetim mbi krimin dhe korrupsionin e autoriteteve malteze. Drejtësia nuk është vënë ende në vend për këtë krim monstruoz.
Sllovakia nga ana tjetër është një vend i Bashkimit Europian ku politikanët dhe qeveria nuk hezitojnë të sulmojnë hapur shtypin. Mos harroni përgjigjen “jeni prostituta anti-sllovake”, të ish-kryeministrit Robert Fico, kur gazetarët e pyetën për menaxhimin e fondeve publike. Vrasja e Jan Kuciak, 27 vjeç, një nga gazetarët më të mirë hetues të vendit, shënoi një pikë kthese në historinë e gazetarisë sllovake. Sot është e nevojshme të rishikohen me sy të ndryshëm zhdukjet e dy gazetarëve në vitin 2008 dhe 2015, për të cilat policia nuk ka dhënë ndonjë shpjegim . Kuçak po hetonte evazionin fiscal nga disa prej biznesëve më të mëdhenj të vendit. Përgjatë viteve të fundit media, televizioni, radioja dhe gazetat sllovake, të cilat i përkisnin grupeve të huaja, u janë shitur industrialistëve apo biznesmenëve të fuqishëm të vendit. Tanimë është një fakt se kontrolli i oligarkëve mbi mediat po bëhet më i forte në të gjithë Europën.
Në Itali, pas sulmeve të Luigi Di Maio ndaj mediave italine, Federata Kombëtare e Shtypit i bëri thirrje qeverisë të qendronte larg hetimeve të pavarura. Gazetarët italianë shprehen se janë të gatshëm të mobilizohen kundër sulmeve ndaj Kushtetutës, sepse shohin se ka një përpjekje nga ana e qeverisë për të dobësuar demokracinë italiane.
Në vendin tonë disa javë më parë u godit me breshëri automatiku banesa e prindërve të një gazetareje kronike në vend, por fatmirësisht pa asnjë të lënduar. Sulmi ishte marrë ndaj banesës së prindërve të gazetares së kronikës, Klodiana Lala. Autorët kanë qëlluar 10 herë në drejtim të banesës dhe nga imazhet që qarkulluan shiheshin qartë shenjat e plumbave në muret e shtëpisë private.
Policia konfirmoi rastin dhe tha se në vendngjarje ishin gjetur 10 gëzhoja. Të shtënat janë dëgjuar rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe në momentin e tyre në banesë kanë qenë prindërit, vëllai dhe fëmijët e gazetares, por jo ajo vetë. Konfirmimin e dha edhe vetë gazetarja përmes rrjeteve sociale, duke e lidhur sulmin me punën si gazetare .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.