Ekonomi

Moody’s: Ekonomia e Shqipërisë e qëndrueshme edhe për 2022-shin. Por e rishikon në rënie

Nga Gazeta “SI” Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit (credit rating agency) Moody’s rikonfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1- me perspektivë të qëndrueshme”, edhe pse e ka rishikuar ekonominë në rënie.

Agjencia tashmë parashikon rritje të PBB-së prej 3.4% në vitin 2022 dhe 3.6% në 2023 krahasuar me respektivisht 4.5% dhe 4% që parashikonte në fillim të Marsit.

Kostot më të larta të energjisë dhe mallrave të tjerë, krijojnë presione të tjera inflacioniste, që do të reflektohen në uljen e kërkesës së brendshme, si dhe reduktojnë rritjen ekonomike të vendeve të origjinës së turizmit në Shqipëri.

Agjencia është e opinionit se perspektiva ekonomike e Shqipërisë shfaqet e rrethuar nga një shkallë e lartë pasigurie për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, ndonëse ekspozimi i drejtpërdrejtë i Shqipërisë ndaj të dy vendeve është i ulët.

Ekspozimi i Shqipërisë ndaj Rusisë nëpërmjet mbështetjes energjetike apo tregtisë është i ulët. Gjithashtu, edhe ekspozimi i Shqipërisë ndaj ndërprerjeve tregtare me Rusinë dhe Ukrainën, ashtu edhe ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit të turizmit, janë të ulëta.

Moody-s thekson se përhapja e koronavirusit ndikoi rëndë ecurinë ekonomike të Shqipërisë në vitin 2020. Megjithatë, tkurrja ishte më e butë dhe rimëkëmbja ishte më e fortë se sa parashikohej fillimisht nga agjencia. Po ashtu vlerëson se politikat fiskale dhe monetare të ndjekuara pas tërmetit dhe gjatë pandemisë ruajtën stabilitetin makroekonomik.

Sipas saj, efektiviteti i politikës fiskale është përmirësuar gradualisht dhe ka të ngjarë të forcohet me reforma të mëtejshme. Shqipëria ka përmirësuar planifikimin dhe ekzekutimin e saj fiskal në vitet e fundit. Në mesin e vitit 2016, Ligji Organik i Buxhetit u amendua dhe u vendosën mekanizma për të parandaluar rrëshqitjen fiskale në prag të zgjedhjeve, të cilat u dëshmuan efektive gjatë dy cikleve të fundit zgjedhore në 2017 dhe 2021.

Parashikohet dhe një ulje e borxhit për vitin 2022 dhe 2023.

Agjencia vlerëson se inflacioni jo-bazë, veçanërisht çmimet e energjisë, ishte nxitësi kryesor i rritjes së inflacionit total. Inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të mbetet mbi 5% për pjesën e mbetur të 2022 përpara se të zbutet në 3.5% deri në fund të 2023. Për 2022 dhe 2023, agjencia parashikon inflacionin mesatar të çmimeve të konsumit përkatësisht në 5.3% dhe 3.8% .

Në fund Moody’s thekson se suksesi i qeverisë në implementimin e reformave strukturore, do të vendosë hapat drejt përputhjes së t ardhurave në vend, me nivelet e vendeve të BE-së.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë