Futboll

Kristjan Asllani, djaloshi i rezervuar me cilësi të rralla

Gazeta Si – Kristjan Asllani është lojtar i Interit. Akordi është arritur dhe pritet zyrtarizimi. Në Itali po flitet shumë për lojtarin kuqezi.

Gazetari Xhanluka Di Marco ka bërë për ‘Corriere della sera’ edhe një profil të Asllanit, zëvendësuesit të Brozoviç. Ja çfarë shkruan gazetari i njohur për mesfushorin.

Sapo ka mbushur 20 vjeç, por është protagonist i kësaj pjese të parë të merkatos. Interi e donte patjetër Kristjan Asllanin.

Asllani ndaj Milanit. Gazeta Si, 16 qershor 2022

Nëse do t’i thoshin një vit më parë, as ai vetë nuk do ta besonte. Mesfushori i Empolit është një nga ata që do të rinovojnë mesfushën e Interit. Ka një akord mes palëve për 14 milionë euro, plus bonuset.

Interi po siguron kështu një nga lojtarët më të mirë të përspektivës të kampionatit të fundit. Klubi zikaltër dukej se ishte shkruar në fatin e lojtarit shqiptar.

Vitin e kaluar Asllani nuk e nisi me skuadrën e parë. U stërvit nga Andreacoli gjatë verës, por vendin e kishte te të rinjtë e Empolit. Për ndeshjet e para.

Më 22 shtator, në javën e 5-të të kampionatit ndaj Kaljarit, debutoi me skuadrën e parë. Shtatë minuta në fushë. Pak ditë më pas 10 minuta ndaj Bolonjës. Më pas sërish me të rinjtë, i alternuar me Serinë A.

Deri më 6 shkurt, kur sërish ndaj Bolonjës Asllani luajti titullar. Që aty Andreacoli nuk e hoqi më nga fusha. Luajti 15 ndeshje, 14 nga të cilat nga minuta e parë. Niveli i shqiptarit u rrit nga java në jave.

Karakteristikat dhe goli ndaj Interit
Nga pikëpamja teknike, shqiptari kujton mesfushorët e stilit të vjetër. Dinamik, por dallohet për prekjen e topit (me të dyja këmbët) dhe vizionin e lojës. Është 175 centimetra i gjatë dhe peshon 68 kilogramë.

Ka shënuar edhe një gol. Depërtim në mbrojtjen kundërshtare dhe portieri i mposhtur. Cili portier? Handanoviç, shoku i skuadrës së shpejti. Ironia e fatit.

Asllani feston golin ndaj Interit. Gazeta Si, 16 qershor 2022

Interi në fatin e tij
Interi mund ta kishte bërë të vetin këtë lojtar vite më parë. Asllani mbërriti në Itali kur ishte vetëm 2 vjeç. Nuk dinte si gjuhej topi. Filloi të mësonte në shkollën e futbollit në Monteserra të Françesko Pratalit, që tek Empoli ka qenë simbol në të kaluarën.

“E donin të gjitha skuadrat e Toskanës”, – ka thënë ish-mbrojtësi në një intervistë të mëparshme. Empoli u tregua më i shpejtë se të gjithë, edhe se Fiorentina dhe Interi.

Mbërritja në Itali dhe familja
Është shqiptar, por flet dialektin toskan. Është rritur në Buti, në provincën e Pizës. Një vend prej 5 mijë banorësh, që për të do të thotë “shtëpi”. Shkon shpesh aty, në sheshin e qytetit luante shpesh me top pas stërvitjes në shkollë.

Prindërit janë punëtorë. Nëna punon në një fabrikë makaronash, ndërsa babai është punonjës tek ujësjellësi. Edhe vëllai i tij 12 vjeç dëshiron të bëhet futbollist. Luan si sulmues anësor dhe stërvitet me Pratalin, tashmë si i shtëpisë.

Asllani ne grumbull me Kombetaren. Gazeta Si, 16 qershor 2022

Djalosh i rezervuar
Kristjan Asllani preferon të mos flasë shumë në publik. Përkundrazi, ai fshihet sa më shumë të mundet. Është vetëm 20 vjeç, por ka pjekurinë e dikujt që e di se për të shkuar lart duhet shumë punë dhe pak fjalë.

Në rrjetet sociale nuk ka asnjë foto personale. Vetëm në fushë. Për të trajneri Andreacoli ka thënë: “Vrapon më shumë se të gjithë dhe ka të dhënat e një lojtari të rëndësishëm”. Preferon të kalojë kohë me shokët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë