Drejtësia

Abuzoi me tenderët, dënohet me 1 vit e 4 muaj burg ish-drejtori i burgut të Lushnjës

Gazeta Si – Judmir Shurdhi, ish-drejtor i Burgut të Lushnjës, është dënuar nga GJKKO me dy vite burg për abuzim me tenderët dhe shpërdorim detyre.

Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të qëndrojë pas hekurave për një vit e katër muaj.

Fajtor është shpallur edhe  Krenar Gozhina, për kryerjen e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” në bashkëpunim (për tenderin e vitit 2018 për shërbimin e transportit të punonjësve). 

GJKKO e dënoi Kozhinën me katër muaj burgim.

Me tre muaj burg u dënua edhe Miranda Idrizi. Për Erion Çelën është caktuar shërbim prove.

Ndërsa për Xhejsika Kajën, është vendosur detyrim për të kryer punë me interes publik prej 60 orësh.

Në dhjetor të vitit të shkuar, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen kundër ish-drejtorit të burgut të Lushnjës dhe 5 personave të tjerë, zyrtarë të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë.

SPAK deklaroi asokohe se nga hetimet, ka rezultuar se Judmir Shurdhi, i cili ishte drejtor në vitin 2020 kur u zbulua shkelja, ka shpërdoruar detyrën lidhur me zhvillimin e tenderit për transportin e punonjësve, pasi ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave.

Po ashtu, ai kishte miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion për kualifikimin e një operatori që mori pjesë në garë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë