Këshilli i Lartë Gjyqësor arsyetoi hartën e re gjyqësore, ku reduktohet fort numri i gjykatave të shkallës së parë dhe shkrihen të gjitha gjykatat e Apelit nëpër rrethe me objektivin e rritjes së cilësisë dhe të eficencës së sistemit të drejtësisë.
Por, arsyeja kryesore që ka çuar në këtë reduktim ka qenë një tjetër dhe që pak lidhet si me cilësinë, ashtu edhe me eficencën.
LEXO EDHE:
– Harta e re gjyqësore, avokatët në grevë, pezullohen 460 çështje gjyqësore
– Harta gjyqësore, Berisha: Profesionet e lira të hidhen në grevë, PD do e anulojë kur të vijë në pushtet
Kryetarja e KLGj-së, Naureda Llagami prezantoi këtë të mërkurë para Komisionit të Ligjeve raportin vjetor të punës së këtij institucioni. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga opozita në lidhje me hartën e re gjyqësore, ajo e pranoi tërthorazi se harta është kushtëzuar nga mungesa e gjyqtarëve.
Llagami citoi ligjin për gjykatat, sipas që në nenin 15-të të tij përcakton se një gjykatë me juridiksion të përgjithshëm nuk mund të ketë më pak se shtatë gjyqtarë.
“Ne kemi zbatuar vetëm ligjin me hartën e re gjyqësore. Nga gjykatat që u shkrinë, kishim gjykata me 3, 5 dhe 6 gjyqtarë”, deklaroi Llagami.
Në këndvështrimin e KLGj-së, reduktimi i gjykatave nuk ka pse të sjellë rritje të stokut të dosjeve të mbartura, pasi siç tha Llagami para deputetëve është më shumë çështje menaxhimi.
Deputetët e opozitës morën si shembull Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës, e vetmja e këtij lloji në të gjithë Shqipërinë. Sipas opozitës, kjo gjykatë ka sot një stok prej rreth 17 mijë dosjesh dhe është shembulli më i mirë i dështimit të modelit të përqëndrimit të gjykatave.
Por, kryetarja e KLGj-së tha se stoku nuk lidhej me aftësinë e kësaj gjykate për të përballuar dosjet që i shkojnë, por me faktin që në 2015-n te kjo gjykatë ishin transferuar të gjitha çështjet administrative që po gjykoheshin në Apel.
Kryetarja e KLGj-së u shpreh se në lidhje me plotësimin e vakancave të krijuara nga vettingu, në vitin 2028 parashikohet që sistemit t’i jenë bashkuar të paktën 100 magjistratë të rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




