Gazeta Si – Pasuritë dhe pronat e vëllait të deputetit demokrat Kasëm Mahmutaj, do t’i kalojnë përfundimisht shtetit.
Kjo, pasi dyshohet se janë vendosur nga veprimtaria kriminale e vëllait të tij, Gazmend Mahmutaj.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e SPAK-ut për konfiskimin e të gjitha pasurive të sekuestruara.
Gazmend Mahmutaj, vëllai i deputetit, është dënuar për akuzën shfrytëzimit të prostitucioni në Itali vite më parë.
Hetimi pasuror ndaj familjes Mahmutaj, fillimisht nisi për Gazmend Mahmutajn, e më pas u shtri edhe për dy vëllezërit e tij, Behar e Kasem Mahmutaj, duke nxjerrë në dritë sipas SPAK rreth 25 pasuri, të cilat nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme.
Një pjesë e pasurive ishin edhe në emër të personave të tjerë të afërt me deputetin dhe vëllanë e tij me precedent penal.
Pronat e konfiskuara konsistojnë në apartamente, pallate, tokë truall në qytetin e Beratit dhe disa automjete.
Gjykata në përfundim të procesit, vlerësoi se kërkesa e SPAK për konfiskimin e pasurive si të krijuara nga pasuri të dyshimta, duhet të konfiskoheshin. Deputetit të Partisë Demokratike, iu kofiskuan me vendim gjykate 2 apartamente, 2 makina dhe dy prona të paluajtshme.
Pasuritë e konfirmuara janë 7 apartamente, troje, pesë ndërtesa në proces legalizimi, 4 makina, si dhe pesë kompani, ku përfshihen një shtypshkronjë, hotel, studio fotografike etj.
Disa prej pasurive, vëllezërit Mahmutaj i kishin kaluar edhe në emrin e kunatave.
Gazmend Mahmutaj, me emrin e ndryshuar në Eduart Toska, del të jetë shpallur fajtor nga Gjykata e Veronës në nëntor 1993.
Ky vendim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit është konvertuar në Shqipëri me tetë vjet burg.
Në vitin 2020, pasuritë e të dënuarit dhe familjarëve të tij u kontrolluan nga OFL e më pas SPAK dërgoi në gjykatë kërkesën e konfiskimit.
Më 2 shkurt 2022, gjykata urdhëroi kalimin në favor të shtetit për dy apartamente, dy sipërfaqe trualli dhe are dhe një automjet, të cilat janë gjetur në emër të Kasem Mahmutajt.
Ndërkohë që në total numri i aseteve të konfiskuara në emër të familjarëve të deputetit është 25
Kështu, pasuritë e konfiskuara i kalojnë shtetit shqiptar, ndërsa sipas legjislacionit në fuqi, Kasem Mahmutajt nuk i rrezikohet mandati i deputetit.
Në ‘luftën’ brenda PD-së, Mahmutaj deri më tani ka qenë i rreshtuar me Lulzim Bashën, por më datë 30 prill mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




