Futboll

Duka mbledh klubet, kërkon ligj sponsorizimi dhe hapjen e basteve

Gazeta Si – FSHF ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e klubeve të futbollit të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Tema e diskutimit ishte “Sponsorizim/Formalizim/Zhvillim. Futbolli shqiptar përballë sfidave të së ardhmes”.

I pranishëm ishte kreu i FSHF-së, Armand Duka, si dhe drejtues të tjerë të institucionit. Qëllimi i takimit kishte të bënte me propozime për mënyrat që nxitin futbollin në vend.

Nga takimi i FSHF-se me drejtuesit e klubeve. Gazeta Si, 14 qershor 2022

Duka tha në takim se FSHF ka krijuar grupe pune për përmirësimin e rregulloreve dhe skemave të kampionateve për të pasur masivitet dhe cilësi.

“Qëllimi kryesor i takimit është se në ç’lloj mënyrash mund të incentivohet futbolli. Dikur jemi mbledhur në një tavolinë vetëm me Kategorinë Superiore. U bënë disa kërkesa për ndryshime ligjore, për të krijuar një shtrat ligjor të përshtatshëm për zhvillimin e futbollit.

Jemi dëshmitarë të vështirësive që kanë sidomos klubet e vogla dhe qytetet e vogla. Ajo që kemi propozuar dy vite më parë nuk është vënë në zbatim. Skema që ne kemi propozuar është një ndihmesë e madhe për ta bërë futbollin një industri, që më vonë të prodhojë dhe t’i kthejë këto investime.

Ligji i sponsorizimeve, apo buxhetet që mund të hidhen në futboll nuk janë financime apo donacione të pakthyeshme, por janë investime që futbolli do t’i kthejë nëse vërtet do të krijojë një industri që të prodhojë vetë”, – u shpreh Duka.

Duka i propozoi publikisht qeverisë dhe parlamentit hapjen e basteve sportive dhe kalimin e një pjese të ardhurash nga ky aktivitet në mbështetje të sportit. Fondet që mund të gjenerohen nga ky aktivitet, sipas FSHF-së, mund të kthehen në një burim të rëndësishëm financimi për futbollin.

“Përveç ligjit të sponsorizimit, janë edhe bastet sportive në Shqipëri. Ato janë ndaluar me ligj, por realisht bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit. Ato ekzistojnë në çdo pikë të vendit.

Të bëjmë një kërkesë për ligjin e sponsorizimeve dhe bastet sportive parlamentit dhe qeverisë shqiptare që t’i rikthejë ato. Dhe 70% e të ardhurave nga ky aktivitet t’i kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit. Ky është një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet dhe infrastrukturën.

Nëse jeni dakord, t’i drejtojmë në emër të komunitetit të futbollit një kërkesë qeverisë dhe parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për ligjin e sponsorizimeve dhe basteve sportive”, – theksoi Duka.

Hapjen e basteve nga qeveria e ka kërkuar edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë