Futboll

Me fat Tirana në short, ndeshet me kampionët e Luksemburgut

Gazeta Si – Tirana ishte vërtet me fat në shortin e hedhur sot në Nion të Zvicrës. Skuadra e trajnerit Orges Shehi do të ndeshet në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve me Dudelange.

Kampionët e Luksemburgut janë kundërshtari më i lehtë i mundshëm në letër për kampionët e Shqipërisë. Vërtet me fat bardheblutë, që kanë evituar ekipe si Ferencvaroshi, apo Ludogorets.

Moment nga hedhja e shortit. Gazeta Si, 14 qershor 2022

Ndeshjen e parë Tirana do ta luajë në transfertë, më 5/6 korrik. Ndeshja e kthimit luhet më 12/13 korrik në Tiranë. Shanset e kampionëve të Shqipërisë për të kaluar turin janë mjaft të mëdha.

Tirana ndërkohë është zhvendosur në Turqi, ku ka nisur fazën përgatitore për ndeshjet europiane. Teksa ndiqnin shortin, me siguri drejtuesit dhe lojtarët e saj kanë buzëqeshur. Ishin vërtet me fat te goglat.

Ballkani, ekipi kampion i Kosovës, do ndeshet me lituanezët e Zalgiris. Ekipi i trajneri Ilir Daja ka shanse të mëdha kualifikimi. Kurse Shkupi, ekipi kampion i Maqedonisë së Veriut, ndeshet me Nju Seints.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë