Drejtësia

Harta e re gjyqësore, avokatët në grevë, pezullohen 460 çështje gjyqësore

Ashtu siç ishte paralajmëruar, të martën e 14 qershorit Dhoma e Avokatisë nisi bojkotin tre ditor për të gjitha shkallët e gjyqësorit

Në shenjë kundërshtie për hartën e re gjyqësore, avokatët kanë vendosur të mungojnë në seancat gjyqësore, përveç atyre ku jepet masa e sigurisë.

“Nëse ndonjë prej avokatëve nuk i bindet urdhrit për bojkot, do të merren masa deri në heqje të licensës”, tha kryetari i Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia.

LEXO EDHE:
Qeveria e kundërshtoi një herë hartën e re gjyqësore të KLGj

Vetëm në gjykatat e Tiranës, GJKKO, Dhoma Penale, Civile, Apeli Tiranë dhe Administrative janë planifikuar të zhvillohen 215 procese gjyqësore të cilat nisin prej orës 08:00 deri në 15:30.

Raportohet se në të gjithë vendin vetëm të martën janë pezulluar rreth 460 çështje gjyqësore.

Ministria e Drejtësisë ndërkohë ka dhënë dakordësinë për hartën e re ku nga 22 gjykata të shkallës së parë bëhen 13 dhe nga 6 Apele bëhet 1.

Brenda pak ditësh, kjo hartë pritet të shkojë në qeveri për miratim. Ndërsa pritet edhe mendimi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Që do të thotë se nëse kalojnë të gjitha hallkat të ardhmen do të kemi 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykata administrative dhe 1 gjykate apeli për të gjithë vendin.

Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë