Trashëgimi

Sarajet e Toptanëve, 2.5 milionë euro nga qeveria për shpronësimin

foto e sarajeve

Nga Gazeta Si - Pronarët e Sarajeve të Toptanëve do të kompensohen nga qeveria me rreth 2.5 milionë euro.

Sipas njoftimit të Agjencisë së Shpronësimit, subjekti kërkues është Ministria e Kulturës dhe projekti i saj përfshin restaurimin dhe muzealizimin e ish-banesës së Toptanasve.

“Agjencia Shtetërore për Shpronësimin shpall kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti ‘Projekt restaurimi dhe muzealizimi i ish-banesës së Toptanasve’. Subjekti kërkues i këtij projekti është Ministria e Kulturës. Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilët do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur”, thuhet në njoftim.

Vlera totale paraprake e shpronësimit është 307 501 636.3 (treqind e shtatë milionë e pesëqind e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë pikë tre) lekë ose rreth 2.5 milionë euro.

Qeveria e miratoi shpronësimin e Sarajeve të Toptanëve në tetor të vitit 2021, rreth dy muaj pas zjarrvënies në objekt.

Godina do t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe do të vihet në dispozicion të qytetarëve që përveç shndërrimit të saj në një muze, do të ketë edhe një hapësirë dedikuar librit, për të cilën ministrja e Kulturës, Elva Margariti, do të deklaronte tetorin e shkuar se ka filluar dialogu me qeverinë amerikane.

“Sot mori fund saga e banesës së Toptanasve, njohur edhe si ‘Sarajet’, ish-ndërtesa e bibliotekës së parë shqiptare, monument kulture i kategorisë I, që këtë verë u përpoqën që ta zhduknin me zjarr. Qeveria shqiptare mori vendimin e shpronësimit të pronarëve të kësaj ndërtese për ta restauruar, rijetëzuar e kthyer në një hapësirë kulture, dedikuar librit, për ngritjen e së cilës jemi në bisedime me qeverinë e SHBA-ve”, shprehej ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në gusht të 2021-s tentua djegia e qëllimshme e Sarajeve të Toptanëve, ngjarje e cila u shoqërua me akuza e kundërakuza mes bashkëpronarëve.

Pas vendosjes së  zjarrit, për të parandaluar që ky skenar të përsëritej, u mor vendimi që Sarajet e Toptanëve, monument kulture i kategorisë së parë të ruhen nga policia dhe të kthehen në muze.

Sarajet janë ndërtuar rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme. Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Ajo paraqet interes nga ana ndërtimore, si për kompozimin funksional, trajtimin arkitektonik-dekorativ, ashtu dhe të lidhjes së saj në një ansambël të vetëm me ndërtimet përreth.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë