Ka ndodhur

Çelësi i shtëpisë ‘identifikon’ trupin e pajetë që u gjet në Ersekë

Gazeta Si – Trupi i pajetë i gjetur një ditë më parë në fshatin Kreshovë të Ersekës, dyshohet se është i 27-vjeçarit Sherif Mukaj.

Ai është denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij në datë 1 nëntor 2021, pasi kishin humbur kontaktet me të.

Edhe pse policia nuk ka një përgjigje përfundimtare të analizave të ADN-së, dyshimet janë që trupi të jetë i të riut nga Erseka.

Pranë trupit të dekompozuar rrëzë malit të Gramozit, u gjet një çelës që i përket shtëpisë së viktimës dhe një celular “Nokia” i vjetër.

Edhe familjarët e viktimës kanë konfirmuar që çelësi i gjetur ka hapur derën e shtëpisë.

Trupi i dekompozuar i 27-vjeçarit u gjet të shtunën nga dy barinj të zonës. Hetimet janë fokusuar në disa pista dhe po kryhen nga sektori i vrasjes në Drejtorinë e Policisë së Korçës.

Për të kuptuar shkakun e vdekjes së Sherif Mukajt, do të priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.

Familjarët në atë kohë bën denoncimin në polici, por edhe në media për gjetjen e djalit të tyre, pasi nuk kishin arritur të komunikonin me të prej datës 1 nëntor.

Familja e Sherifit prej disa kohësh jetonte në SHBA, ndërsa ai ishte i vetëm në Shqipëri në fshatin Starje të Kolonjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë