Futboll

Anglia s’merr dot hak ndaj Italisë, Gjermania ngec në Hungari

Gazeta Si – Finalja e Euro 2020 u përsërit sot në Ligën e Kombeve, në Ligën A. Anglia nuk mundi të merrte hak për humbjen në këtë finale dhe barazoi pa gola ndaj Italisë. Ndeshja u luajt pa tifozë, për shkak të dënimit të anglezëve.

‘Pengjet’ më të mëdha nga kjo ndeshja i kanë italianët. Skuadra e Mançinit ruan kryesimin e grupit me 5 pikë. Anglia ende nuk ka mundur të marrë asnjë fitore në tri ndeshje.

Momenti kur Maunt godet traversen e Donarumes. Gazeta Si, 11 qershor 2022

Italia zhvilloi një pjesë të parë mjaft të mirë. ‘Axurrët’ krijuan të paktën 4 raste goli. Veçohen ai i Tonali, që u ndal mrekullisht nga Ramsdale, dhe i Pesinës në fund të pjesës së parë.

Anglia ishte pa fat në minutën e 9-të, kur Maunt goditi traversën. Në pjesën e dytë Sterling bëri një gabim fatal, duke gjuajtur jashtë një metër afër portës. Italia pati një rënie, por ia doli të merrte pikë.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Gjermania nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në Hungari. Vendësit shënuan të parët me Nagi, por vetëm pak minuta më pas barazoi Hofman. Ishte vetëm fillimi i ndeshjes, por rezultati nuk ndryshoi më.

Për skuadrën e Flik ishte barazimi i tretë në po kaq ndeshje të luajtura. Gjermania është në një proces rinovimi dhe këto rezultate janë të pritshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë