Gazeta Si – Pronarët e rinj të Milanit kanë plane të qarta për të forcuar skuadrën. Sipas “Gazzetta dello Sport”, klubi ka në dispozicion një thesar prej 100 milionë eurosh. Një shumë që do të investohet në sesionin e merkatos së verës.
Përfitimet nga titulli kampion dhe ato të pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve kanë krijuar këtë thesar, që tani mund të investohet pa problem. Po ashtu, edhe kursimet në merkaton e janarit i japin një dorë klubit kuqezi.

Gjithçka është e mbyllur për sulmuesin Divok Origi, përveç vizitave mjekësore dhe firmës. Ato do të kryhen brenda muajit. Drejtuesit e Milanit po ‘gjuajnë’ ndërkohë profile të rinjsh të talentuar për të përmirësuar repartin ofensiv të Piolit.
Dhe sipas ‘Sky’, një nga këta të rinj është Xhakomo Raspadori, i datëlindjes 2000. Atij i skadon kontrata me Sasuolon në 2024-ën dhe Milani ka nisur kontaktet me agjentin e sulmuesit.
Milani ka interes për lojtarin e Italisë, por ende nuk ka një ofertë zyrtare për klubin e Sasuolos.
Në anën tjetër, edhe për Renato Sançes duket çdo gjë e mbyllur. Orët e fundit është arritur akordi total mes Milanit dhe mesfushorit portugez, që do të përfitojë 3 milionë euro, plus bonuset. Lila përfiton 18-20 milionë euro dhe zyrtarizimi mund të bëhet në korrik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




