Prokuroria e Posaçme SPAK ka marrë të pandehur komisioneren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja.
Akuzat e ngritura ndaj saj janë “deklarim i rremë” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Sa i takon akuzës së ngritur për deklarim të rremë, mësohet se Etleda Çiftja dyshohet se ka një tokë arë në Kavajë të cilën nuk e ka deklaruar.
Çiftja bëhet e treta që del para bankës së të akuzuarve pas gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci dhe Ardian Hajdari. Ashtu siç ka ndodhur më herët me 2 rastet e para, edhe për Komisioneren e KPK pritet që të merret masa e pezullimit nga detyra.
Kush është Komisionerja e KPK, Etleda Çiftja
Çiftja është diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ajo është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit.
Karrierën e saj, e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009 ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit.
Për periudhën 2009- 2017 ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropower sh.a.”.
Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kësaj kompanie, Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




