Nga Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) reagon pas deklaratës së gazetarit Artan Hoxha, bërë mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion” se “Nuredin Dumani rrëfeu se Ilir Meta porositi vrasjen e vëllait të deputetit”.
SPAK deklaron se Nuredin Dumani nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me presidentin Ilir Meta.
“Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Më tej, SPAK thotë se mediat duhet të tregohen të kujdesshme në lidhje me këtë rast.
“Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”, vijon njoftimi i SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




