Drejtësia

Strasburgu refuzon Becchettin për padinë e frekuencave: Duhet të ngrihet në gjykatat shqiptare

Gjykata e Strasburgut ka refuzuar që të marrë në shqyrtim në themel padinë e Francesco Becchettit për diskriminim në rastin e përjashtimit të Agon Channel nga gara për frekuencat digjitale në 2014 dhe 2015.

Vendimi i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut është marrë në 10 maj. Në të, Strasburgu nuk i hyn thelbit të çështjes nëse Becchetti ka, apo jo të drejtë, por refuzon ta marrë në shqyrtim me arsyetimin se nuk janë konsumuar më parë gjykatat në Shqipëri.

Me këtë arsyetim u mbrojt edhe shteti shqiptar përmes Avokaturës së Shtetit, që kërkuan refuzimin pasi biznesmeni italian nuk kishte bërë padi në Gjykatën Administrative të Tiranës më parë.

Becchetti ngriti dy pretendime në këtë proces. I pari lidhej me pretendimin se i ishte shkelur e drejta për t’u shprehur dhe i dyti që ishte diskriminuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, që nuk e përfshiu në garën për frekuencat digjitale të televizioneve kombëtare.

“Aplikanti (Becchetti), para se të sillte këtë aplikim në Gjykatë (Strasburg), argumentet dhe pretendimet duhej t’i kishte ngritur pranë autoriteteve kombëtare (të Shqipërisë). Për këtë arsye, aplikimi refuzohet për moskonsumim të mekanizmave vendase për zgjidhje”, thuhet në vendimin e Strasburgut.

Agon Channel u përjashtua nga AMA në 2014 dhe 2015-n në garën për marrjen e frekuencave digjitale të transmetimit me arsyetimin se nuk kishte licencë kombëtare.

Kjo është njëra nga 3 paditë që Becchetti ngriti pas mbylljes së Agon Channel në Shqipëri. Dy prej tyre u mbyllën në Strasburg pa penalitete për Shqipërinë, ndërsa e treta u bë në Arbitrazhin e Uashingtonit, që gjobiti Shqipërinë me mbi 100 mln euro.

Për këtë gjobë, Becchetti ka nisur sekuestrimin me vendime gjyqësore të llogarive dhe aseteve të Shqipërisë në vendet europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë