Futboll

Pol Pogba largohet nga Mançester Junajtid, Juventusi e pret

Gazeta Si – Pritej vetëm zyrtarizimi, që tashmë ka ardhur. Pol Pogba do të largohet nga Mançester Junajtid. Klubi anglez e ka përshëndetur francezin me një ‘faleminderit’ të thjeshtë në Tuiter.

Pol Pogba, mesfushori francez. Gazeta Si, 1 qershor 2022

Në faqen e klubit është publikuar edhe njoftimi për largimin e mesfushorit francez. “Klubi njofton se Pol Pogba do të largohet nga Mançester Junajtid në fund të qershorit, kur skadon kontrata e tij.

Ka qëndruar gjatë me ne, e ka nisur tek akademia, kur erdhi nga Le Havre. Ishte ende 16 vjeç”, – shkruan klubi në njoftimin zyrtar.

Pasi kujton karrierën e gjatë dhe fitoret e lojtarit, njoftimi mbyllet kështu: “Të gjithë në klub duan ta përgëzojnë Pol Pogba për karrierën plot me suksese dhe për atë që i ka dhënë Mançesterit.

I urojmë më të mirën në hapat e ardhshëm në udhëtimin e tij”. Një udhëtim, që me shumë mundësi do të rinisë nga Torino. Juventusi është teatri i një periudhe tjetër të artë të karrierës së Pol Pogba.

Klubi italian ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e futbollistit dhe veshja e tij sërish bardhezi duket e sigurt. Juventusi ka nevojë për një ekspert në mesfushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë