Futboll

Festë shkodrane në Tiranë, Vllaznia fiton Kupën dhe Europën

Gazeta Si – Kupa e Shqipërisë mbetet pronë e Vllaznisë. Në ‘Air Albania’ ka pasur festë shkodrane sot në mbrëmje. Festë e dyfishtë pas fitores 2-1 në finalen ndaj Laçit, për trofeun dhe Europën.

U deshën 120 minuta lojë për të shpallur fituesin. Fati u ka buzëqeshur shkodranëve, të cilët shënuan me Hoxhajn dhe Adilin. Ky sukses i jep një vend në Europë Vllaznisë, ndërsa Kukësi, që shpresonte për fitoren e Laçit, mbetet jashtë.

Trajneri Mirel Josa humbi brazilianin Viktor Da Silva për shkak dëmti vetëm pas 12 minutash lojë. Vendin e tij e mori Ardit Hoxhaj, i cili u bë menjëherë protagonist.

Nga finalja Vllaznia-Laçi, 2-1. Gazeta Si, 31 maj 2022

Vlonjati barazoi rezultatin me një gjuajtje me kokë, pas krosit perfekt të Liridon Latifit. Më parë Laçi kishte shënuar me sulmuesin kryesor, Saliu Guindo. Skuadra e Duros gofiti që në rastin e parë me një kundërsulm vrastar.

Pjesa e parë pati ritëm, por me kalimin e minuta skuadrat patën një rënie. Shkodranët patën pretendime për penallti si në pjesën e parë me Aralicën, ashtu edhe në të dytën me Jonuzin. Gjyqtari Xhaja në të dy rastet vazhdoi lojën.

Laçi u shfaq rrezikshëm disa herë në pjesën e dytë, ku shpëtimtar për Vllazninë u bë portieri Zogoviç. Rezultatii nuk ndryshoi dhe ndeshja shkoi me shtesë.

Ne shtesën e parë Adili kaloi Vllazninë në avantazh. Ai goditi fort nga rreth 30 metra, topi u përplsas në tokë dhe përfundoi në rrjetën e Dajsinanit. Portieri i Laçit ka një peshë të madhe të fajit te ky gol.

Më pas djemtë e Josës e kanë mbrojtur fort rezultatin. Pas 120 minutash ka pasur festë shkodrane në “Air Albania”. Vllaznia fiton trofeun e Kupës dhe shkon në Europë.

Finalja pati edhe disa incidente. Një tifoz shkodran u fut në fushë, ndërsa gjyqtari Xhaja u godit me një shishe plastike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë