Drejtësia

Lirohet Ismail Morina, ishte ndaluar për armëmbajtje pa leje

Gazeta Si – Ismail Morina, i njohur ndryshe edhe si Ballist Morina, është lënë i lirë nga Gjykata e Durrësit pak ditë pas arrestimit në Morinë.

Ndaj tij kishte një urdhër arresti dhe me vendim të Gjykatës së Durrësit ishte dënuar me 5 muaj e 12 ditë burg për armë mbajtje pa leje.

Gjykata vendosi që muajt e burgut t’i konvertohen në shërbim prove, masë të cilën do ta kryejë edhe për 5 muaj.

Ismail Morina, tifozi i kombëtares së Futbollit do të mbahet mend për dronin me flamurin “autokton” që ngriti në mes të Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

40-vjeçari ishte në listën e personave në kërkim të Policisë së Shtetit për një histori të nisur në vitin 2015.

Në tetor të atij viti, ai u arrestua në Tiranë me armë pa leje dy ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Në gjyq deklaroi se i mbante për vetëmbrojtje pas kërcënimeve të ekstremistëve serbë për aktin e tetorit 2014 në Beogradit, gjatë ndeshjes së vlefshme për eliminatoret e “Euro 2016”.

Në korrik të vitit 2016, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 2 vite burg, dënim i cili u ul në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Asokohe ai nuk qëndroi asnjë ditë në qeli.

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë atë në liri me kusht për një periudhë 18 mujore.

Por Ballisti, mësohet se nuk e kishte respektuar vendimin dhe për një kohë të gjatë nuk ishte paraqitur pranë shërbimit të provës.

Ndaj gjykata e Durrësit revokoi vendimin e Gjykatës së Tiranës për lirinë me kusht dhe vendosi ta kthejë në burg.

Për shkak të shkeljes, sipas llogarive të drejtësisë, Ismail Morina duhej të vuante në qeli 5 muaj e 12 ditë burgim.

Pas vendimit, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe pas rikthimit në Shqipëri përfundoi në pranga, deri këtë të martë me 31 maj 2022, kur dhe u dha vendimi ku dënimi me burg u konvertuar në shërbim prove.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë