Futboll

Takimi me Infantino, Duka: Shqipëria ka mbështjen e FIFA-s

Gazeta Si – Armand Duka, kreu i FSHF-së, ka zhvilluar në Paris një takim me presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino. Duka, i cili ndoqi nga afër finalen e Championsit, vizitoi edhe zyrat e reja të FIFA-s.

Gjatë një intervistë për FIFA-n, Duka ka treguar detaje nga takimi me presidentin Infantino: “Ishte një vizitë në zyrat e FIFA-s, por edhe një takim surprizë me presidentin e saj.

Biseda ishte rreth ngjarjeve të fundit, zhvillimet e FIFA-s si dhe projektet për të ardhmen, për zhvillimin e futbollit botëror. Ishte kënaqësi e madhe për ne të kishim edhe një diskutim nga afër dhe më pak formal me z.Infantino.

Ishte një vendim shumë i mirë i FIFA-s për të pasur zyrat në Paris, pasi është lehtësisht i aksesueshëm për federatat. FSHF është anëtare e vjetër e FIFA-s, prej vitit 1932. Ne bëjmë 90 vite si anëtarë të FIFA-s.

FIFA ka qenë mbështetëse e zhvillimit të futbollit në një vend të vogël dhe jo shumë të zhvilluar si Shqipëria. Vitet e fundit mbështetja ka qenë më e madhe. Mjafton të marr shembull tre vitet e fundit.

Kemi ndërtuar një qendër stërvitore, ose Shtëpinë e Futbollit, vetëm falë projektit ‘FIFA Forward’. Ka në përbërje zyrat e FSHF-së, dy mini-stadiume dhe ambiente të tjera. Janë zhvilluar edhe projekte të tjera.

Realisht FIFA vitet e fundit ka qenë shumë më aktive në mbështetjen e federatave kombëtare”, – tha Duka mes të tjerash për takimin me presidentin Infantino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë