Gazeta Si – Për herë të 14-të në histori, Real Madrid ngre lart trofeun e Ligës së Kampionëve. Si askush tjetër. Spanjollët fitojnë 1-0 finalen e Parisit, me një gol të brazilianit Vinicius.
Nuk ishte një nga ato finalet brilante, pasi dy skuadrat i druheshin njërat-tjetrës. Njeriu i ndeshjes ishte pa dyshim portieri Kurtua, vendimtar me shumë pritje.
Liverpuli dhe Jurgen Klop i përulen mbretit Karlo Ançeloti. Trajneri italian i Real Madrid është një legjendë tashmë, me 4 trofe të fituar në Champions. Askush si ai.
Pjesa e parë u luajt me dominimin e Liverpulit. Skuadra e Klop u ndal disa herë nga Kurtua, i cili në një moment pati edhe ndihmën e shtyllës. Reali bëri pak për të rrezikuar portën e Alison.
Karim Benzema shënoi në fundin e pjesës së parë, por ky gol u anulua për pozicion jashtë loje edhe pas konsultimit me VAR-in. Ndeshja do të zhbllokohej në minutën e 59-të.
Vinicius e dërgoi topin në rrjetën e portës së Liverpulit, pasi devijoi një gjuajtje-kros të Valverde. Real Madrid mori zemër dhe më pas e administroi mire lojën.
Trajneri Jurgen Klop ndërhyri nga stoli, duke hedhur në fushë Jotën për Luis Diaz. Më pas edhe Keita e Firmino në fushë, pasi anglezët nuk kanë çfarë të humbin.
⚪️ Insane goalkeeping. Courtois 🔥🔥🔥#UCLfinal pic.twitter.com/uW4u6WLyss
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) May 28, 2022
Portieri Tibo Kurtua tregoi një formë të jashtëzakonshme. Ai shmangu rrezikuan disa herë të tjera, veçanërisht në një rast ndaj Salah. Reali nuk arrin të dyfishojë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Trajneri Ançeloti e bëri ndërrimin e parë 5 minuta para fundit të kohës së rregullt. Kamavinga zuri vendin e Valverdes. Sebajos shpërdoroi në shtesë një mundësi të mirë në zonën e Liverpulit.
Real Madrid mbrohet fort dhe triumfon në kompeticionin e preferuar edhe kur nuk niset si favorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




