Futboll

Kumbulla e nis nga stoli, ja si pritet të zbresin në fushë finalistët

Gazeta Si – Marash Kumbulla nuk do të jetë në fushë nga minuta e parë në finalen e sotme, që nis në orën 21:00. Ai e nis nga stoli. Trajneri Mourinjo e ka vendosur pak a shumë se cilët lojtarë do të hedhë në fushë nga minuta e parë.

Mbrojtësi kuqezi mund të ketë minuta në pjesën e dytë, në varësi të ndeshjes. Roma do të luajë me Rui Patricion në portë. Sipas shtypit italian, ai në mbrojtje do të aktivizojë treshen Mançini-Smolling-Ibanjez.

Formacionet e mundshme të dy skuadrave. Gazeta Si, 25 maj 2022

Në mesfushë portugezi ka menduar të aktivizojë Kristanten dhe Mkitarianin. Armendi vjen nga një dëmtim, por ka përvojën e duhur për në finale. Në krahë do të luajnë Karsdrop dhe Zalevski.

Në sulm, Zaniolo dhe kapiteni Pelegrini do të mbështesin anglezin Abraham. Dilema e vetme është ajo me Zaniolon. Nëse ky i fundit e nis nga stoli, Mkitarian spostohet përpara dhe në mesfushë futet Oliveira ose Veretu.

Në anën tjetër, te Fejnordi nuk ka asnjë dilemë për trajnerin Arne Slot. Ai do të aktivizojë formacionin e tij tip. Sinistera dhe Nelson do të jenë pas krahëve të sulmuesit Desers.

Tifozët shqiptarë duan të shohin mbrojtësin Marash Kumbulla në fushë. Pse jo dhe duke ngritur lart trofeun. Lojtari kuqezi është gati në çdo moment për Mourinjon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë