Futboll

Dita e finales historike, Europa ju flet nga Tirana!

Gazeta Si – E mërkura e 25 majit 2022 është ditë historike për futbollin shqiptar, Tiranën dhe Shqipërinë. Në qiellin e kryeqytetit shqiptar do të ngrihet lart trofeu i parë në histori i Ligës së Konferencës.

Për herë të parë vendi ynë organizon finalen e një kompeticioni europian. E paimagjinueshme deri pak kohë më parë. Madje, edhe kur FSHF aplikonte për të pritur një finale në Tiranë, shumëkush e konsideronte thjesht ‘show’.

Realiteti është ndryshe. Sot Europa e futbollit flet nga Tirana. Flet nga një stadium i mrekullueshëm. Një stadium modern, ndër më të mirët në Ballkan.

Fati e deshi që në finalen e parë historike të marrë pjesë edhe një shqiptar, Marash Kumbulla. Lojtari i Kombëtares është pjesë e Romës, që sot përballet me holandezët e Fejnordit.

Data 25 maj 2022 është shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar. Pritja e një finaleje europiane klubesh kuptohet që e ndryshon imazhin e tij. Të gjithë me radhë, që nga presidenti i UEFA-s Ceferin, po flasin për një zhvillim të madh të futbollit tonë.

Por jo vetëm futbolli shqiptar krijon një imazh të ri nga kjo finale. Edhe Tirana, edhe Shqipëria. Ditët e fundit është bërë një reklamë e jashtëzakonshme gratis për vendin tonë.

Italia dhe Holanda, me anë të dy klubeve finaliste, kanë mbushur rrjetet sociale, duke reklamuar Tiranën, “Air Albanian” dhe Shqipërinë. UEFA po ashtu ka bërë të njëjtën gjë me anë të faqes së saj zyrtare.

Finalja e Ligës së Konferencës është motivi kryesor që mijëra tifozë italianë dhe holandezë kanë zgjedhur të vizitojnë Tiranën. Në kryeqytet pritet që sot të jenë rreth 50 mijë vizitorë.

Eventi sjell në të njëjtën kohë edhe përfitime financiare për Shqipërinë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli për 100 milionë euro përfitime. Një shifër e konsiderueshme.

Pritja e kësaj finaleje ka edhe pjesën e vështirë të saj, që lidhet me sigurinë. Duhet shumë punë dhe kujdes, që kjo reklamë të mos kthehet në anti-reklamë.

Është një test i rëndësishëm, që nëse kalohet me sukses, i jep të tjera bonuse në aspektin e përmirësimit të imazhit vendit tonë. Edhe futbollit shqiptar, patjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë