Futboll

Europa tabu për kapitenët e Romës, Pelegrini: Ora për të fituar!

Gazeta Si – Nga Bartolomei e Xhanini, te Toti e De Rosi. Asnjë prej tyre nuk ka mundur të fitojë një trofe ndërkombëtar. Lorenco Pelegrini beson se kjo tabu do të thyhet në Tiranë.

Në historinë e kapitenëve të Romës, as Bartolomei, as Xhanini, as Toti dhe De Rosi nuk kanë mundur të ngrejnë lart një trofe europian. Lorenco Pelegrini mund t’ia dalë të mërkurën në mbrëmje.

Pelegrini dhe Mançini në konferencë shtypi. Gazeta Si, 24 maj 2022

Kapiteni i Romës ndjen jo pak përgjegjësi kur flet për finalen e Ligës së Konferencës ndaj Fejnordit. “Kur do të fitosh diçka, është normale të marrësh përgjegjësi. Do të isha shumë i lumtur, nëse do të ngrija trofeun në Tiranë”, – shprehet Pelegrini.

“Është ndeshja më e rëndësishme e karrierës, – shton më tej mesfushori italian. – Por mendoj se është e gabuar që ta lidhim këtë vetëm me mua, ngaqë jam kapiten dhe roman. Skuadrën nuk e bën një lojtar, por të gjithë.

Kur them se jemi përmirësuar, u referohem të gjithë personave përreth nesh. Nëse nesër do të fitojmë, më pas do të mendojmë për të fituar diçka tjetër, sigurisht”.

Mendësia e duhur edhe edhe kjo, pjekuria e të diturit për të shkuar më tej. “Për mua mund të jetë trofeu i parë, pastaj me këtë fanellë është edhe më i rëndësishëm, – thekson Pelegrini. – Në një finale nuk ka favoritë, do bëjmë gjithçka për të fituar”.

Atyre që e pyesin çfarë do t’i thotë skuadrës para ndeshjes, Pelegrini u përgjigjet: “Do ta falënderoj, ka qenë një vit i bukur. Bashkë kemi sakrifikuar dhe festuar, si një skuadër e vërtetë.

Është një ndjenjë që nuk e provoja prej kohësh. Tifozët tanë? Kanë qenë të jashtëzakonshëm, na kënë mbështetur gjithmonë. Edhe në momente të vështira. Nesër luajmë për veten, por mbi të gjitha edhe për ta”.

Që është ndeshja më e rëndësishme e karrierës, të paktën për ta, e pohon edhe Xhanluka Mnçini: “Në të kaluarën ka luajtur maksimumi një finale të Kupës së Italisë. Kjo është më e rëndësishme.

Fejnordin nuk e kemi frikë aspak, por e respektojmë. E kemi studiuar, e dimë që ka kualitet në mesfushë dhe sulm. Në finale janë dy skuadrat më të mira të turneut, shanset janë 50% për secilën prej tyre”.

Mançini në Air Albania”. Gazeta Si, 24 maj 2022

Roma i ka provuar të gjitha në këtë edicion. “Në fillim shumë mendonin se ishte një kupë për shaka. Pastaj morëm një shpullë nga Bodo, që na mundi 6-1. Kuptuam se në Europë nuk ka ndeshje të lehta.

Për ne mbrojtësit është e rëndësishme që nesër të jemi të kthjellët dhe të përqendruar. Nuk duhet ta komplikojmë situatën. Jemi gati të luajmë edhe 300 minuta për të fituar Kupën.

Uroj që shënuesi më i mirë të jetë Abraham”, – ka thënë Mançini. Ai dhe Pelegrini do të jenë titullarë në “Air Albania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë