Futboll

Dy ditë në Tiranë, zbardhet programi i Romës dhe Fejnordit

Gazeta Si - Të mërkurën në mbrëmje luhet në Tiranë finalja e Ligës së Konferencës. Roma përballet me Fejnordin në “Air Albania” dhe do të mbërrijë në kryeqytet të martën. Dy klubet do të kalojnë dy ditë në Shqipëri.

Drejtuesit e klubit italian kanë planifikuar çdo gjë me detaje, pasi do të jenë dy ditë qëndrimi në Tiranë. Skuadra do të stërvitet të martën paradite në Trigoria, më pas do të niset për në Tiranë.

Baneri i finales së 25 majit. Gazeta Si, 23 maj 2022

Në orën 17:30, për 15 minuta Marash Kumbulla me shokë do të njihen nga afër me terrenin e stadiumit “Arena Kombëtare”. UEFA përdor këtë emër për stadiumin, jo atë komercial.

Çerek ore më pas do të jetë konferenca për shtyp e trajnerit Zhoze Mourinjo. Ai do të shoqërohet nga dy futbollistë dhe njëri mund të jetë Kumbulla. Nga Roma, ditën e ndeshjes do të niset një çarter me familjarët e lojtarëve.

Në orën 18:45 është programuar konferenca për shtyp e trajnerit të Fejnordit, Arne Slot. Skuadra holandeze do të stërvitet në stadiumin e finales në orën 19:30 dhe do të jetë një seancë e hapur për shtypin.

Më datë 25 maj, në orën 21:00, do të luhet finalja e Ligës së Konferencës, Roma-Fejnord. Finalja e parë historike europiane në Shqipëri. Dy klubet do të qëndrojnë dy ditë në kryeqytetin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë